Botë

Nieto: Meksika s’do paguajë për murin që ndërton Trump; Trump: Meksika do paguajë për murin, të jeni të sigurtë

26.01.2017 13:21

Presidenti i Meksikës, Pena Nieto, i ka kthyer përgjigje homologut të tij amerikan të sapozgjedhur, Donald Trump...

Presidenti i Meksikës, Pena Nieto, i ka kthyer përgjigje homologut të tij amerikan të sapozgjedhur, Donald Trump, në lidhje me nënshkrimin e dekretit për ndërtimin e murit me Meksikën dhe për faktin se në një mënyrë apo në një tjetër kostot e ndërtimit do të duhet t’i bartë shteti meksikan. 
 
“Unë nuk i aprovoj dekretet e administratës Trump për ndërtimin e  murit me Meksikën. E kam thënë disa herë dhe po e përsëris, nuk do të paguajmë për këtë mur. Si president i Republikës, është përgjegjësia ime të mbroj interesat e Meksikës”,- deklaroi presidenti i Meksikës, Pena Nieto.
 
Por, presidenti Trump thotë se struktura do të nisë të ndërtohet brenda disa muajve dhe se qeveria meksikane, në një formë apo në një tjetër, do ta rimbursojë administratën amerikane.
 
“Do të ketë një pagesë nga Qeveria meksikane, do të ndodhë në një mënyrë apo në një tjetër, mbase do të ndodhë në një mënyrë të komplikuar”,- theksoi presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Trump ka ngritur tensionet edhe me një tjetër deklaratë që kishte të bëjë me torturën ndaj terroristëve për të grumbulluar informacione të vlefshme.
 
“Kur ata presin kokat e njerëzve, kur ISIS bën gjëra për të cilat askush nuk kishte dëgjuar që nga epoka mesjetare, a nuk më bën kjo që të mbështes aplikimin e torturave ndaj tyre? Mund të them se duhet ta luftojmë zjarrin me zjarr”,- tha presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Deklarata e Trumpit u prit edhe njëherë me kritika të ashpra nga grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilët shprehen se kjo nuk është forma e duhur për luftimin e terrorizmit.
 

BELINDA KOKA-ADEMI