Botë
Bilanci i ortekut në Itali, mbyllen kërkimet, 29 të vdekur dhe 11 të mbijetuar
26.01.2017 15:17
Tetë ditë nga tragjedia e ortekut të borës, që përfshiu hotelin Rigopiano në Itali, janë mbyllur sot operacionet e shpëtimit në rikuperimin e të gjitha trupave të viktimave...

Bilanci zyrtar i kësaj tragjedie është 29 viktima e 11 persona të mbijetuar, mes të cilëve katër fëmijë. Pasditen e 18 janarit, kur orteku i borës shkatërroi strukturën e këtij hoteli, në të gjendeshin 40 persona, 12 prej të cilëve punonjës.
Mes viktimave është edhe pronari i këtij hoteli, si dhe një emigrant senegalez që punonte me kontratë sezonale.
“Gjatë autopsisë së bërë ndaj gjashtë viktimave është vërtetuar se shkaqet e vdekjes janë asfiksia, hipotermia, si dhe dëmtimet fizike në trup. Ka nisur një hetim me akuzën e “tragjedisë së qëllimshme e vrasje të shumëfishtë”. Deri më tani, nuk ka persona të hetuar, por Prokuroria ka sekuestruar të gjitha telefonatat dhe kërkesat për ndihmë të bërë nga pronari e drejtori i hotelit”,- deklaroi prokurorja në Gjykatën e Pescaras, Cristina Tedeschini.
Hoteli me katër yje i Rigopianos konsiderohej një nga strukturat më luksoze të turizmit të zonës, një vend unik për të kaluar pushimet dimërore, të cilin e kishin zgjedhur dhe 29 viktimat, por që atë pasdite të 18 janarit u shndërrua në parajsën e tyre të fundit.
BELINDA KOKA-ADEMI
