Maqedoni

Rregullohet ngrohja qendrore, shkollat në Studeniçanit fillojnë mësimin

26.01.2017 15:49

Pas tre ditëve vonesë për shkak të motit të ftohtë, rreth 3.300 nxënës në komunën e Studeniçanit filluan gjysmëvjetorin e dytë shkollor...

Në Shkollat Fillore “Naim Frashëri” në Studeniçan dhe Moranë, “Alija Avdoviq” në Batincë dhe “Mustafa Qemal - Ataturk” në Koliçan, kishte defekt të sistemit të ngrohjes qendrore dhe pas riparimit të tij, nxënësit filluan procesin edukativo-arsimor.
   
“E kemi pasur që të nisim të hënën, por ngrohje nuk patëm. Tani është gjithçka në rregull dhe sot po kënaqemi”,- theksoi një nxënës.
 
“Të hënën nuk filluam me shkollë sepse ishte prishur ngrohja qendrore. Tani kemi ngrohje dhe të gjitha klasat janë të ngrohta”,- u shpreh një nxënëse. 
 
“Sot është dita e parë dhe dëshira ime është që së bashku me shokët e mi të kalojmë me pesë”,- potencoi një nxënës.
 
Drejtuesit e shkollave fillore në këtë komune për TVM2 informojnë se janë riparuar mbi 300 pjesë të radiatorëve duke u zëvendësuar me dhjetëra gypa të rinj që kishin plasur në sistemin e ngrohjes qendrore.
 
“Patëm plasjen e radiatorëve të ngrohjes. Thuajse te çdo radiator të klasës patëm nga një brinjë të plasur dhe për atë arsye na është dashur pak kohë derisa i sanojmë të gjitha këto. Sot gjithçka është në rregull, procesi mësimor ka filluar në kohë si këtu në shkollën qendrore në Studeniçan, po ashtu edhe në Moranë. Nëpër të gjitha klasat dhe korridoret ngrohja po punon si më parë”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “Naim Frashëri”, Reshat Sulejmani.
 
Drejtuesit e shkollave thonë se të gjitha orët u humbura për shkak të defekteve me ngrohjen do të kompensohen gjatë muajve në vijim së bashku me orët e tjera të humbura për shkak të gripit. 
 
REXHEP QAMILI