Ndotja e ajrit, Zhbogar: Ndotja e ajrit rrit vdekshmërinë, Ahmeti: Masa të propozuara deri te qeveria

26.01.2017 16:18

Ndotja e ajrit ndikon në rritjen e vdekshmërisë në Maqedoni....

Ndotja e ajrit ndikon në rritjen e vdekshmërisë në Maqedoni, deklaroi shefi i delegacionit të BE-së, Samuel Zhbogar, në përfundim të Tuining projektit kushtuar ndotjes së ajrit. Euroambasadori, Samuel Zhbogar, tha se problemi me cilësinë e ajrit nuk njeh kufi dhe BE-ja i përkrah autoritetet në gjetjen dhe menaxhimin e masave dhe planeve për ballafaqim me ndotjen e ajrit ambiental.                                                       

“Ndotja e ajrit është një problem në të gjithë BE-në dhe përkundër disa përmirësimeve përsëri si pasojë e ndotjes së ajrit humbin jetën 400 mijë persona. Shkalla e vdekjeve e shkaktuar nga ndotja e ajrit në nivel vjetor shënon rritje të lartë. Ky projekt i ndihmon qeverisjes qendrore dhe lokale të përmirësojnë kualitetin e ajrit”,- deklaroi shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.                                                                                                                 

Ministri i Mjedisit Jetësor, Bashkim Ahmeti, theksoi se koncentrimi i grimcave PM10 dhe PM2.5 shumë shpesh i tejkalon kufijtë e normales, prandaj deri te qeveria janë propozuar masa për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, që paraqet problem akut me të cilin përballen qytetarët.                                                                                                             

“Masat e propozuara së fundmi gjatë këtyre ditëve deri tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me çka presim që të ndikohet pozitivisht në përmirësimin e kualitetit të ajrit, një ndër ato masa është përgjysmimi i numrit të veturave që ato të përdoren nga institucionet publike, kufizimi i numrit të përdorimit të tyre, d.m.th. përgjysmimi 50% i veturave zyrtare, të cilat përdoren nga ana e institucioneve shtetërore dhe gjithashtu propozim-ndryshimi për siguri në qarkullim në rrugët, me çka do të japim mundësi që të mund të implementohet masa e ashtuqujatur çift– tek”,- tha ministri i Mjedisit Jetësor, Bashkim Ahmeti.                                                                                                                                              

Tuining projekti u realizua për 21 muaj, duke filluar nga maji i vitit 2015, me buxhet prej 1,1 milion euro. Projekti kishte për qëllim përforcimin e kapaciteteve administrative, përgatitjen e inventarit të emetimeve të substancave, ndotëse në nivel nacional, përmirësimin e modelimit të disperzuar për vlerësimin e cilësisë së ajrit ambiental dhe zbatimin e fushatës për matje plotësuese të përbërjes së grimcave PM10, me qëllim të përcaktimit të përqendrimeve të burimeve të emetimeve.

Po ashtu u përpilua një raport për cilësinë e ajrit në dekadën e kaluar, u hartuan dokumente planore për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Shkup dhe Tetovë, ndërsa për herë të parë u përfshinë edhe aktivitete të lidhura me aspektin shëndetësor dhe ndikimin e cilësisë së ajrit ndaj shëndetit të njerëzve.  (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)