Maqedoni
Qeveria - platforma shqiptare, LSDM: Platforma, pjesërisht kompatibile
26.01.2017 17:57
Përderisa VMRO-DPMNE, si mandatare, dhe BDI janë ngatërruar në të ashtuquajturin parim “fituesi me fituesin”...

Përderisa VMRO-DPMNE, si mandatare, dhe BDI janë ngatërruar në të ashtuquajturin parim “fituesi me fituesin”, LSDM pret që mandatarit Gruevski t’i skadojë afati për formimin e qeverisë dhe mandati t’i dorëzohet partisë së dytë fituese.
Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Damjan Mançevskit, deklarata e përbashkët e partive shqiptare është pjesërisht kompatibile me platformën e LSDM-së dhe pjesërisht jo, por për këtë do të deklarohen pasi të marrin mandatin.
“Ne e presim mandatin për formimin e qeverisë. Me të vërtetë vlerësojmë se në Maqedoni është koha për zbatimin e një koncepti të ri për jetë më të mirë të qytetarëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë platformë të tre partive shqiptare, edhe ne kemi platformën tonë të cilën do ta prezantojmë para opinionit dhe partnerëve potencial për koalicion. Deklarata e partive shqiptare është kompatibile në një pjesë dhe në një pjesë jo. Megjithatë, do të kumtojmë në kohë”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançeski.
Mirëpo, VMRO-DPMNE, përmes një kumtese më shkrim, ka njoftuar opinionin se sa e dëmshme është LSDM-ja kur është në pushtet.
“Gjithmonë kur LSDM do ta rrëmbejë pushtetin ose ndonjë funksion, ajo do të thotë shkatërrim të institucioneve dhe destruksion të shtetit. Këtë e konfirmon edhe CIA. Kontrabanda, korrupsioni dhe pasurimi i oligarkëve të LSDM-së, për të cilat dëshmitarë është çdo qytetar i RM-së, tani i ka në pah edhe opinioni ndërkombëtar”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq, në BDI vazhdon shqyrtimi i katër opsioneve për formimin e qeverisë dhe debati për të ashtuquajturin parim “fituesi me fituesin”. Tre nga katër nënkryetarët të BDI-së janë deklaruar të mendimit se marrëveshja e majit nuk e përcakton saktë se fituesi duhet të koalicionojë me fituesin.
Nevzat Bejta dhe Teuta Arifi kanë deklaruar për TV21 se ky parim nuk është ligj dhe partitë nuk janë të obliguara ta respektojnë.
Në ndërkohë vazhdojnë takimet intensive mes partive politike dhe përfaqësuesve diplomatik në vend. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, është takuar me ambasadorin e Shqipërisë, Fatos Reka.
Me këtë rast përfaqësuesit e “Besës” kanë shprehur qëndrimin se kjo parti në vazhdimësi është angazhuar për daljen e vendit nga kriza politike dhe kthimin në agjendën e integrimeve euroatlantike, ndërsa Platforma “Ridefinimi” për këtë është një zgjidhje ideale politike.
SHPËTIM NUREDINI
