Maqedoni

Orijan: Nëse do të ekzistonte shteti i Izraelit, Mund të mos ndodhte Holokausti; Popovski: Holokausti nuk duhet të harrohet

26.01.2017 18:20

Holokausti nuk duhet të harrohet, por duhet të shërbejë si mësim për ne dhe veçanërisht për gjeneratat e reja, që të tilla ngjarje të mos përsëriten asnjëherë...

Holokausti nuk duhet të harrohet, por duhet të shërbejë si mësim për ne dhe veçanërisht për gjeneratat e reja, që të tilla ngjarje të mos përsëriten asnjëherë, u tha në një ceremoni përkujtimore në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit të organizuar në Shkup.
 
“Nëse do të ekzistonte shteti i Izraelit disa vite më parë, ndoshta e tërë gjendja do të ishte ndryshe. Por, tani e kemi shtetin dhe ai është strehë e sigurt për më tepër se 6 milion hebrenj të cilët jetojnë në Izrael. Kjo është fitore e madhe ndaj nacistëve”,- deklaroi ambasadori i Izraelit në Shkup, Dan Orijan.
 
“Angazhimi dhe përgjegjësia jonë sot, nesër dhe viteve në vijim është që të nderojmë të gjitha viktimat e Holokaustit, duke i përfshirë 7,144 hebrenjtë nga Maqedonia, të cilët më 11 mars 1943 u deportuan në Kampin e vdekjes në Treblinka. Maqedonia është i përkushtuar për ruajtjen e kujtesës dhe përgjegjësinë historike për Holokaustin. Ne jemi të përfshirë në mënyrë aktive në Aleancën ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit – IHRA, delegacioni i lartë i të cilit do të marrë pjesë në ngjarjet përkujtimore të këtij viti të 11 marsit, ditën e dëbimit të hebrenjve nga Maqedonia”,- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Sipas tij, shembujt e antisemitizmit, mohim të Holokaustit, diskriminimi në forma të ndryshme, si dhe gjuha e urrejtjes është gjithnjë e pranishme në Europë.
 
Rreth gjashtë milionë njerëz u vranë në Holokaust në luftën e dytë botërore, në përpjekjen sistematike naziste për të zhdukur hebrenjtë.  
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU