Maqedoni

Heqja e autobusëve shtetërorë, kaos dhe vonesa në transportin publik; Janushev: Po analizojmë linjat 9 dhe 19, zgjidhje do të ketë së shpejti

27.01.2017 14:52

Kaos me transportin publik në Shkup...

Ndërprerja e disa linjave shtetërore dhe sistemi i ri elektronik që filloi të zbatohet në tërësi nga 1 janari ka nxitur pakënaqësi te qytetarët.
 
Mungesa e linjave shtetërore me numër 9 dhe 19, dhe rrallimi i autobusëve privatë ka shtuar pritjet e qytetarëve. Ata kërkojnë kthimin urgjent të linjave të vjetra shtetërore në këtë zonë.
 
“Një muaj e më shumë, në fakt prej kur ka filluar sistemi i ri i pagesës në praktikë, është bërë ky kaos. Rreth 40 minuta presim autobus. Nuk munden të funksionojnë autobusët privatë pa ata shtetërorë në këtë zonë”,- deklaroi një qytetar. 
 
“Më herët ka pasur më shumë autobusë, ndërsa tani jo, autobusët privatë janë rralluar shumë”,- theksoi një qytetar. 
 
“Deri në 40 minuta presim që të vijë autobusi nr. 9”,- tha një qytetar. 
 
“Besoj që duhet dikush që të ndërmarrë masa urgjente për këtë gjë”,- u shpreh një qytetar.  
 
Drejtori i Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik, Igor Janushev, nuk pranon se është bërë gabim me ndërprerjen e këtyre linjave, por premton zgjidhje eventuale në muajin shkurt. NQP është duke rishqyrtuar mundësinë për të rikthyer autobusët 9 dhe 19 shtetërorë si më herët.
 
“Nga Këshilli i Qytetit të Shkupit morëm detyrë që deri në seancën e ardhshme të bëjmë analizë të mirëfilltë dhe të propozojmë masa për kthimin e autobusëve shtetërorë 9 dhe 19 për banorët e kësaj zone. Në këtë moment ne i bëjmë  analizat dhe shpresoj se shumë shpejtë do të mund të gjejmë zgjidhje afatgjate për këtë problem”,- u shpreh drejtori i NP “NQP”, Igor Janushev.
 
Janushev njëkohësisht i hodhi poshtë të gjitha akuzat për mungesën e kartelave elektronike në autobusët urbanë. Ai thotë se prej fillimit të këtij viti janë shitur mbi 180 mijë kartela elektronike, ndërsa planifikohen të hapen edhe 81 punkte të reja në Shkup.
 
Janushev thotë se shumë shpejt risi do të jetë edhe rimbushja e karteleve përmes internetit. Prej muaji shkurt, kartela elektronike prej 150 denarëve do të jenë me vetëm dy udhëtime falas. Çdo rimbushje e tyre do të jetë më së paku 100 denarë. Ai i porositi qytetarët që kartelat mos t’i hedhin, sepse ato mbushen dhe të njëjtat vlejnë për gjithë vitin. 
 
REXHEP QAMILI