Maqedoni

ShBA: Për murin paguan Meksika, Trump gjen mekanizmin; Reagon Meksika: Taksa për importet do t’u rëndojë amerikanëve

27.01.2017 15:01

Pas anulimit të takimit mes presidentit të Meksikës dhe atij të Shteteve të Bashkuara, lideri i Uashingtonit...

Pas anulimit të takimit mes presidentit të Meksikës dhe atij të Shteteve të Bashkuara, lideri i Uashingtonit ka bërë publike formën se si shteti meksikan do të paguajë detyrimet financiare për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.
 
ShBA pritet të imponojë një taksë prej 20 për qind për mallrat e importuara nga Meksika, si një prej planeve më të rëndësishëm të reformës tatimore. Duke bërë një gjë të tillë, ShBA mund të sigurojë 10 miliardë dollarë në vit, çka do të mundësonte pagesën e murin vetëm me anë të këtij mekanizmi.
 
Por, Meksika ka përkujtuar se, pavarësisht zotimit të Donald Trump se kjo taksë detyron Meksikën që të paguajë për murin në kufirin mes dy vende, ata që vërtet do të paguajnë këtë kosto janë konsumatorët amerikanë.
 
“Një taksë për mallrat meksikane që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nuk është rruga e duhur që detyron Meksikën të paguajë për murin, por mjeti që bën konsumatorët e Amerikës së Veriut që të paguajnë më shumë për avokadot, lavatriçet, televizorët e tjera produkte”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Meksikës, Luis Videgaray.
 
Ndërtimi i murit në kufirin jugor amerikan me Meksikën ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së republikanit, që u bë realitet që në javën e parë në detyrë përmes firmosjes së një urdhri ekzekutiv për ndërtimin e murit 3200 km të gjatë. Meksika eksporton deri në 300 miliardë dollarë mallra në vit në Shtetet e Bashkuara.
 
BELINDA KOKA-ADEMI