Përmirësim të marrëdhënieve ShBA –Britani, Tereza Mej: Epokë e re e rilindjes amerikane
ShBA-ja dhe Britania e Madhe kanë përgjegjësi të vendosin marrëdhënie...

ShBA-ja dhe Britania e Madhe kanë përgjegjësi të vendosin marrëdhënie të posaçme transatlantike në fillimin e një ere të re dhe janë të obliguara që sërish së bashku ta udhëheqin botën, deklaroi kryeministrja, Tereza Mej, e cila ndodhet për vizitën e parë në ShBA si kryeministre.
Mej, e cila foli para kongresistëve republikanë në takimin e tyre në Filadelfi, e quajti fillimin e mandatit të Trampit një "epokë të re të rilindjes amerikane". Sipas saj, të dyja vendet, "Britania e Madhe jashtë Bashkimit Europian dhe ShBA-ja nën udhëheqjen e Trampit kanë mundësi, përkatësisht përgjegjësi që të vendosin marrëdhënie të posaçme për atë epokë të re".
Ajo u bëri thirrje të dy vendeve të jenë të bashkuar në mënyrë që të përballen me sfidat e reja, ngritjen e ekonomive në Azi, e cila mund ta lëjë në hije Perëndimin, kërcënimin nga ekstremizmi islamik dhe agresivitetin e Rusisë. Fjalimi i Mej, të cilin vëzhguesit e përcaktuan si "odë për marrëdhëniet e posaçme ndërmjet dy vendeve”, përmbajti edhe pjesë kushtuar Uinston Çerçillit, Magna Kartës, Ronald Reganit dhe Margaret Theçërit.
Në pjesën më të madhe të fjalimit, i cili zgjati gjysmë ore, Mej shprehi simpati për qëndrimet e Trampit lidhur me çështjet botërore. Ajo iu bashkëngjit kritikave të Trampit për politikën e deritanishme të jashtme të ShBA-së.
Ajo, ndër të tjera, theksoi se Britania e Madhe angazhohet për një BE të fuqishme, ndërsa NATO-¬n e konsideron si prijëse të sigurisë globale.
