Interkonjeksioni Shqipëri – Maqedoni, Parlamenti shqiptar ratifikon marrëveshjen

27.01.2017 15:23

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e së enjtes projektligjin....

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e së enjtes projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë gjermane për projektin “Linja e transmisionit 400 kv Shqipëri – Maqedoni”.

Projektligji u miratua me 76 vota të mazhorancës, teksa opozita kishte braktisur më herët seancën plenare. Projekti “Linja e interkoneksionit 400 kv Fier – Elbasan – Manastir”, përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore, Elbasan – Manastir afërsisht 151 km, ku 56 kilometra janë në territorin e Shqipërisë.

Sipas qeverisë shqiptare, objektiv kryesor i projektit është të përforcojë lidhjet interkonjektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe transitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon.

Gjithashtu autoritetet shqiptare me këtë projekt synojnë të zhvillojë burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike të zonës jugore të vendit. Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka nënshkruar me Gjermaninë dy marrëveshje, ku pjesa e parë e financimit është 30 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 20 milionë eurosh. Linja me Maqedoninë është projekti më i rëndësishëm energjetik që do të ndërtohet përgjatë tre viteve të ardhshme, pas përfundimit të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Parashikohet që punimet të fillojnë së shpejti, ndërsa projekti të përfundojë në vitin 2019.