Botë

Zjarret në Kili, flakët shkatërrojnë tërësisht Santa Olegan

27.01.2017 15:29

Banorët e Kilit kritikuan presidenten e vendit, Michelle Bachelet, dhe autoritete të tjera për përgjigjen tejet të vonuar ndaj zjarreve...

Banorët e Kilit kritikuan presidenten e vendit, Michelle Bachelet, dhe autoritete të tjera për përgjigjen tejet të vonuar ndaj zjarreve më të rënda në historinë e vendit, që deri tani i kanë kushtuar jetën 7 personave.
 
Qyteti i Santa Olegas është rrafshuar plotësisht nga flakët dhe banorët e tij nuk mund të bënin asgjë veçse të shihnin nga larg shtëpitë e tyre të përpira nga zjarri i pandalshëm. 85 vatra të veçanta zjarri po shkrumbojnë zonat qendrore dhe jugore të Kilit dhe deri tani kanë djegur mbi 190.000 hektarë, një sipërfaqe dy herë më e madhe se Nju Jorku.
 
Zyrtarët lokalë në Santa Olega thonë se zjarrfikësit braktisën qytetin e Santa Olgës për të shpëtuar jetët e tyre, pasi flakët ishin tejet të forta. Mbi 7.000 njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre dhe me qindra janë strehuar në qendra emergjence. 
 
“Kam jetuar këtu që në moshën 4 vjeçare. Është shokuese të shohësh se si jeta jote përpihet nga flakët për një sekondë. Ne kemi mbetur në rrugë”,- deklaroi banori, Sebastian Rocco.
 
“Këtu flakët përpinë gjithçka. Bashkë me fqinjët luftuam për dy ditë me flakët, por nuk mundëm t’i ndalim”,- u shpreh banori, Teo Carrillo.
 
Edhe ekspertët thonë se qeveria nuk reagoi në kohë dhe fakti që viktimat janë kryesisht policë dhe zjarrfikës tregon se banorët ia kishin mbathur prej kohësh nga banesat e tyre.
 
Shumë vende të Amerikës Latine, por edhe të botës, kanë dërguar pajime dhe ndihmë në Kili për të luftuar flakët. ShBA dhe Rusia kanë dërguar avionë, që quhen superdepozita, që mbajnë sasi të mëdha uji dhe që përdoren në emergjenca të tilla.
 
BELINDA KOKA-ADEMI