Mbrojtja e të dhënave personale, AP: Duhet të përforcohen mekanizmat e kontrollit

27.01.2017 15:55

Të dhënat personale janë një grup target në rrezik në mbarë botën....

Të dhënat personale janë një grup target në rrezik në mbarë botën. Është e drejta e qytetarëve të kërkojnë të mbrojnë të dhënat e tyre personale, sepse kështu ruhet privatësia e tyre.

Por, autoritetet në vend thonë se asnjë organ në Maqedoni, por edhe në botë, nuk mund të garantojë mbrojtje 100% të të dhënave personale.

“Jemi dëshmitarë të asaj se çfarë ndodhi me Vikiliks, me Snoudenin, sulmet me të cilat përballet Google dhe rrjetet Twitter dhe Facebook. Është një luftë e përditshme, kushtimisht thënë, mes të mirës dhe të keqes”,- deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, Goran Trajkovski.

Një rast eklatant të shkeljes së të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale ishte ai i shpërndarjes së të dhënave të studentëve nga ana e disa fakulteteve. Avokati i popullit, Ixhet Mehmeti, kërkon fillimisht ngritjen e vetëdijes qytetare e më pas mekanizmave efikase të kontrollit.

“Me shqetësim e dëgjova lajmin e para disa ditëve për nxjerrjen e të dhënave personale të studentëve nga ana e një institucioni të lartë arsimor. Më gëzoi fakti që Drejtoria reagoi në kohë, por më mirë është të parandalohen raste të tilla sesa të reagohet më pas”,- theksoi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.

Nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale thonë se  numri i ankesave është në rritje, pasi qytetarët janë vetëdijesuar tashmë.

Janë 359 lëndë, 80% prej të cilave kanë të bëjnë me rrjetet sociale, me llogari të rreme në Facebook, dhe 20% për hakerim të llogarive ekzistuese.

Ka një propozim-strategji nacionale tashmë që duhet të ndihmojë në miratimin e një ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ligji pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm dhe do të jetë kompaktibil me legjislativen e BE-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)