Maqedoni
MASh publikon konkurs për punime shkencore, 300 subvencione me nga 30.000 denarë
27.01.2017 16:16
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 300 subvencione me vlerë prej 30.000 denarëve për punimet shkencore kryesisht në gjashtë sfera shkencore...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 300 subvencione me vlerë prej 30.000 denarëve për punimet shkencore kryesisht në gjashtë sfera shkencore, matematiko-natyrore, tekniko-teknologjike, mjekësi-shëndetësi, bioteknike, shoqërore dhe humane.
Konkursi është publikuar në ueb faqen e MASH-it dhe në të mund të aplikojnë të gjithë studentët, profesorët dhe personat e kyçur në publikimin e punimeve shkencore gjatë vitit 2016.
“Aplikimi është i hapur deri më 24 dhjetor të vitit 2017 dhe në të mund të aplikojnë edhe autorët të cilët vitin e kaluar kanë publikuar punë shkencore në revista ndërkombëtare me faktor të ndikimit (impakt-faktor). Apeloj deri tek të gjithë individët dhe institucionet shkencore, të cilët i plotësojnë kushtet e konkursit, ta shfrytëzojnë këtë mundësi”,- deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristovski.
Kjo nismë e MASh-it për ndihmë të njëhershme apo subvencionimin e punimeve shkencore aplikohet që nga viti 2012. Në mesin e sferave të cilat kanë përfituar dominojnë punimet në sferën e mjekësisë dhe shkencave teknike, ndërsa deri më tani janë ndarë mbi 1000 të tilla.
Qëllimi i këtij projekti është një lloj shpërblimi për punën dhe stimulim për vazhdimin e saj si dhe motivim për të gjithë ata të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të punojnë ose publikojnë vepra shkencore, theksoi Ristovski.
LEUNORA KALIQI
