Botë

“BE për ty”, 5,2 mln euro për stacionin e filtrimit në Kërçovë

27.01.2017 16:59

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, filloi zyrtarisht nga Kërçova fushatën e Delegacionit të BE-së nën moton “BE-ja për ty”...

Qëllimi kryesor i fushatës është ngritja e ndërgjegjes dhe informimi i opinionit për ndihmë të Bashkimit Europian në Maqedoni. Fushata “BE për ty” synon të theksojë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit të pastër jetësor, që është një nga politikat kryesore dhe prioritetet sektoriale të BE-së dhe fushës në të cilën investon Unioni.
 
“Ndihma e plotë e BE-së në fushën e mjedisit të jetesës arrin në më shumë se 80 milionë euro në kuadër të IPA1 (2007-2013). Planifikohet përkrahje e mëtejshme në vlerë prej 100 milionë eurosh në kuadër të shpërndarjes financiare të fondeve IPA2”,- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.
 
Për Kërçovën, BE-ja siguroi mjete financiare me vlerë prej 5,2 milionë eurosh për ndërtimin e stacionit të filtrimit dhe kolektorëve kryesorë në gjatësi prej katër kilometrash. Zhbogar ka inspektuar punimet dhe u takua edhe me kreun e Kërçovës, Fatmir Dehari. 
 
“Me ndihmën e BE-së dhe fondeve IPA, në rrjedhë është ndërtimi i stacionit filtrues për ujëra të zeza me vlerë prej rreth shtatë milionë euro dhe në të cilën, krahas stacionit filtrues, bie edhe përgatitja teknike së bashku me rrjetin sekondar, i cili duhet të ndërtohet në rajonin e Zajazit”,- theksoi kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
 
Projekti u realizua në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, komunën e Kërçovës dhe ndërmarrjet komunale publike.
 
SHABAN DALIPI