Botë

Zbrazet DASh, Kerry: Largimet të njëkohshme, i vështirë zëvendësimi

27.01.2017 17:39

Diplomatë të lartë në ekipin drejtues të Departamentit amerikan të Shtetit po largohen njëri pas tjetrit nga postet e tyre...

Diplomatë të lartë në ekipin drejtues të Departamentit amerikan të Shtetit po largohen njëri pas tjetrit nga postet e tyre, duke shtuar kështu trysninë mbi Rex Tillerson, i cili është ende në pritje të konfirmimit nga Senati.

Në mesin e të dorëhequrve janë zëvendëssekretari për menaxhimin, Patrick Kennedy, dy zëvendës ndihmës sekretarë, si dhe drejtori i Zyrës së misioneve të huaja. Largimi i tyre ka për të lënë pas një boshllëk jo të vogël.

“Këto janë largimet më të mëdha të njëkohshme institucionale që mund t’i vijnë në mendje gjithsecilit prej nesh. Zëvendësimi i këtyre ekspertëve ka për të qenë goxha i vështirë”,- deklaroi ish-sekretari i Shtetit, John Kerry.

Me këto largime duket se Tillerson nuk do të ketë rrugë tjetër, veçse të formojë një ekip krejtësisht të ri. Asnjëri prej punonjësve të dorëhequr nuk e ka lidhur haptazi largimin e tij me linjën e Donald Trump në çështjet e politikës së jashtme.