Maqedoni
Ambasada e ShBA-ve me donacion, 30.000 usd Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim
27.01.2017 18:00
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim pranoi një donacion me vlerë prej 30 mijë dollarësh...

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim pranoi një donacion me vlerë prej 30 mijë dollarësh, i cili përbëhet prej mjeteve materiale teknike dhe pajisjeve nga Ambasada e ShBA-së në Maqedoni. Këto mjete dhe pajisje teknike do të rrisin mundësinë operative të Drejtorisë, gjegjësisht ekipeve për mbrojtje nga vërshimet, si dhe efikasiteti në zbatimin gjatë vërshimeve eventuale.
“Falë shumës prej 30 mijë dollarë nga Fondi humanitar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i dhuruam një ndihmë që përbëhet prej mjeteve teknike materiale, me qëllim që kjo drejtori t’i përgjigjet fatkeqësive dhe sfidave natyrore në Maqedoni”,- deklaroi nënkoloneli, Xhefri Van Sikël.
“Pajisja përbëhet prej 57 kostumeve rezistuese ndaj ujit, 55 palë çizmeve prej gome rezistuese ndaj ujit, 25 maskave me filtra, 40 llambave me bateri dhe 35 reflektorëve”,- tha Shaban Saliu nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Zyra për Bashkëpunim të Armatës, në kuadër të Ambasadës së ShBA-ve, pas vërshimeve në gusht të vitit të kaluar, me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë dhe në bashkëpunim me DMSh-në, kanë përpiluar një listë të punëve më të nevojshme ku duhet të ndihmohet gjatë shpëtimit të jetëve të njerëzve nga vërshimet potenciale.
GAZMEND REXHEPI
