Maqedoni
BE do qeveri që do të zbatojë reformat, Dehari parapëlqen Gruevskin kundërshtar
27.01.2017 18:32
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka afat edhe dy ditë që të formojë shumicën e re parlamentare dhe të propozojë kabinetin e ri qeveritar...

Në këto 18 ditë, përveç një takimi me kreun e BDI-së, nuk është kumtuar për bisedime për formimin e koalicionit qeverisës. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski, ka përsëritur se opinioni do të njoftohet kur të ketë ndonjë zhvillim në këtë drejtim.
Ndërkohë, përfaqësuesit diplomatik në vend kanë intensifikuar takimet me subjektet politike për të përsëritur qëndrimin se vendi ka nevojë për një qeveri e cila do të angazhohet seriozisht në zbatimin Marrëveshjes së Përzhinës, Raportin e KE-së dhe atë të Pribesë.
Euroambasadori, Samuel Zhbogar, vlerëson se Maqedonia ka nevojë për një Qeveri, e cila do të zbatojë reformave prioritare. Këtë angazhim duhet ta mbështesin të gjitha subjektet e përfaqësuara në Kuvend, theksoi Zhbogqar.
“E rëndësishme është që të fitojmë një qeveri që do të angazhohet seriozisht, sinqerisht dhe tërësisht në zbatimin e reformave urgjente prioritare dhe janë të përmendura në Raportin e KE-së. Ne besojmë se agjenda europiane mund t’i bashkojë të gjitha partitë, jo patjetër Qeverinë, por të gjitha partitë që ta mbështesin atë, të mbështesin reformat kur të arrijnë në parlament”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Kreu i Kërçovës, njëkohësisht anëtar i Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, Fatmir Dehari, parapëlqen që kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, ta ketë kundërshtar dhe jo partner. Por, sipas tij, vendi ka nevojë për një bashkëpunim të gjerë të spektrit politik për zbatimin e politikave të mira, posaçërisht reformimin e gjyqësisë.
“Në një mënyrë kundërshtar, meqë të motivon më shumë për të bërë punë të mbara. Në fakt, me rëndësi është bashkëpunimi i të gjithëve. Nëse u qasemi problemeve nga këndvështrimi i qytetarit, atëherë kjo do të na motivojë të gjithëve për të bashkëpunuar që qytetarët tanë t’i shohim një jetë më të mirë”- u shpreh Fatmir Dehari nga BDI.
Sipas Deharit, vendi ka nevojë për funksionimin e një organi hetues të pavarur dhe organeve gjyqësore të pavarura.
SHPËTIM NUREDINI
