Raporti i KE-së për Shqipërinë: Kusht vettingu, konsensus politik për zgjedhjet
Në progres-raportin vjetor të Këshillit të Europës për Shqipërinë kërkohet zbatimi praktik i reformës në drejtësi dhe në veçanti i Vetingut...

Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë mbetet kusht edhe në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
Gjithashtu kërkohet edhe konsensus mes të gjithë faktorëve politikë për reformën elektorale. Në rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës theksohet se miratimi i amendamenteve kushtetuese ka hapur rrugën për një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse të gjyqësorit shqiptar në mënyrë që të sigurohet paanësia dhe pavarësia nga influenca dhe presioni kryesisht politik.
“Reforma në Gjyqësor shihet si kontribuuesi kryesor në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Shqipëri vazhdon klimë e tensionuar politike. Është me rëndësi që të arrihet konsensus mes të gjithë faktorëve politikë për reformën elektorale në mënyrë që të gjejnë zgjidhje problematikat e shfaqura në zgjedhjet e kaluara, mbi bazën e rekomandimeve që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”,- thuhet në raport.
Bazuar në traditën problematike shqiptare me procesin zgjedhor dhe sidomos me numërimin e votave, në raport nënvizohet se ndryshimet e pritshme në kodin elektoral shqiptar nuk janë në vetvete të mjaftueshme për të zgjidhur problematikat që shfaqen ditën e zgjedhjeve.
Ndaj kërkohet angazhimi politik nga të gjithë faktorët politikë për të zhvilluar më 18 qershor zgjedhje të vërteta demokratike, duke e zbatuar plotësisht dhe me mirëbesim kodin elektoral. Për sa kohë nuk ka rezultate të prekshme dhe konsensus politik për reformat, Shqipëria do të mbetet në listën e monitorimit krahas Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnje Hercegovinës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Federatës Ruse, Serbisë dhe Ukrainës.
