Maqedoni
Autobusi informativ i BE-së udhëton nëpër Maqedoni
12.05.2014 18:17
Që nga dita e sotme e deri më 23 maj, autobusi informativ i BE-së si pjesë e aktiviteteve të ditëve të Evropës...

Që nga dita e sotme e deri më 23 maj, autobusi informativ i BE-së si pjesë e aktiviteteve të ditëve të Evropës, do të udhëtojë në disa vende të Maqedonisë, me qëllim që të vihet komunikim direkt me qytetarët e vendeve rurale dhe t’u jepet më shumë informacion për BE-në, vendet anëtare, si dhe për përkrahjen financiare që ndan BE-ja për Maqedoninë, procedurën, mënyrën dhe shfrytëzimin e këtyre mjeteve.
“Gjatë kohës së udhëtimit do të kemi takime me autoritetet lokale, me qytetarët, studentët dhe fëmijët për të cilët do të jetë një mundësi e mirë për t’u njohur me BE-në, me funksionimin dhe vlerat e saj, si dhe me përkrahjen financiare që e jep BE-ja për Maqedoninë”, deklaroi euroambasadori Aivo Orav.
“Në periudhën prej 2007-2013, për Maqedoninë nga BE-ja janë ndarë 600 milion euro, ndërsa është duke u kompletuar edhe paketa prej 600 milion euro të tjera për Maqedoninë, si ndihmë financiare për periudhën 2014 -2020. Këto mjete do të shërbejnë për përmirësimin e ekonomisë financiare në vend, për administratë dhe për infrastrukturë”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
Në autobusin informativ të BE-së, në kuadër të delegacionit të BE-së, do të udhëtojnë edhe disa ambasadorë të vendeve të BE-së, përfaqësues qeveritar, përfaqësues të Agjencionit për Zhvillim dhe Zhvillim Rural, përfaqësues të mediave dhe student.
Nesër autobusi i BE-së do të vizitojë Zhupën, ndërsa ditëve tjera Shemshovën, Postushën, Novacin, Studeniçanin, Zrnovcën dhe Nagoriçanin.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
