Botë

Trump, ndalon migrimin në SHBA nga vendet myslimane; Rohani, nuk është koha e ndërtimit të mureve

28.01.2017 12:39

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë urdhër ekzekutiv që ndalon hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve sirianë, deri në një njoftim të dytë...

Ai pezulloi gjithashtu me 3 muaj lëshimin e vizave për shtetasit nga 6 vende të tjera me shumicë myslimane, përfshirë Iranin, Irakun, Jemenin e Libinë.
 
Mbi bazë të urdhrit të firmosur në Pentagon pas ceremonisë së betimit të sekretarit të ri të Mbrojtjes, gjeneral James Mattis, është pezulluar edhe pranimi i të gjithë refugjatëve për 4 muaj.
 
“Masat e reja synojnë të mbajnë larg Amerikës terroristët islamikë. Ne duam të pranojmë, vetëm ata që do të mbështesin vendin tonë dhe do të duan popullin amerikan”, shprehet presidenti amerikan Donald Trump.
 
Ai e ka përcaktuar numrin prej 50 mijë refugjatëve nga e gjithë bota që Shtetet e Bashkuara do t’i pranojnë këtë vit.
 
Një përjashtim madhor për ndalesën e refugjatëve është bërë për të krishterët sirianë, për të cilët Trump tha se janë të shtypur në vendin e tyre.
 
Vendimi ngjalli zemërimin e demokratëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut, që këmbëngulin se nuk ka lidhje mes refugjatëve sirianë në SHBA dhe terrorizmit.
 
Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio e quajti të turpshëm mesazhin që po përcillte Trump-i, që sipas tij binte ndesh me idealet amerikane.
 
Edhe Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i ka kritikuar politikat e presidentit amerikan kundër migrimit. Rohani ka vlerësuar se tani “nuk është koha e ndërtimit të mureve ndërmjet vendeve”.
 
“Ata kanë harruar se Muri i Berlinit është shkatërruar shumë vite më parë”, deklaroi Rohani,  gjatë një fjalimi në Teheran, duke shtuar se “nëse ekzistojnë muret ndërmjet vendeve, ato duhet të rrënohen”. 
 
GAZMEND KURTISHI