Botë

Ukrainë, nacionalistët bllokojnë hekurudhën

28.01.2017 13:37

Nacionalistët në Ukrainë dje kanë bllokuar hekurudhën për në pjesën lindore përkatësisht drejt rajoneve që kontrollohen nga seperatistët rus, në shenjë proteste kundër tregtisë me separatistët...

Volodymyr Parasyuk, zëvendëskryesues i Parlamentit të Ukrainës, i tha rrjetit televiziv Ukraina 112, se “të gjitha hekurudhat do të bllokohen” dhe se “aksioni do të zgjasë më tepër se një apo dy ditë – ai do të jetë i pakufizuar”.
 
Me këtë bllokadë synohet ndalja e tragtisë legale dhe kontrabandës ilegale me territoret në pjesën lindore të Ukrainës, që janë nën kontroll të separatistëve.
 
Bllokada po bëhet nga anëtarët e parlamentit dhe disa ish-luftëtarë vullnetarë të qeverisë së Ukrainës. Agjencia TASS raportoi se me këtë bllokadë, që ka filluar pardje, janë mbajtur 12 trena transportues dhe më se 700 vagonë.
 
Guvernatori i rajonit Lugans, Yuriy Garbuz, që është mbështetës i qeverisë së Ukrainës, ka tërhequr vërejtjen se me këtë bllokadë “po kërcënohet siguria energjetike e vendit” në kulmin e dimrit.
 
Sipas tij, protestuesit “i kishin bllokuar vagonët e zbrazët të trenit për transportin e thëngjillit në territorin e kontrolluar nga Ukraina”.