Maqedoni

“EPIKERA”: Obama do të angazhohet për emrin

12.05.2014 18:28

Gazeta greke “EPIKERA”, duke u referuar në burimet e saj, ka shkruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama...

Gazeta greke “EPIKERA”, duke u referuar në burimet e saj, ka shkruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, do të angazhohet edhe personalisht që të arrihet zgjidhje e kontestit të emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, me qëllim që vendi të anëtarësohet sa më shpejt në NATO.
 
Gazeta shkruan se SHBA i ka komunikuar autoritetet greke edhe tre arsyet pse përfundimisht duhet mbyllur kontesti mes dy shteteve fqinje.
 
Arsyeja e parë është zgjerimi i Aleancës, e dyta kriza në Ukrainë dhe nevoja që NATO të demonstrojë unitet dhe forcë dhe arsyeja e tretë është interesi i SHBA-së që kjo pjesë e Evropës të mos mbetet e paintegruar.
 
Gazeta pretendon se ky është një plan amerikan që ka hyrë në fuqi që në muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa thotë se Athina është njoftuar nga zyrtarë amerikan, përfshirë edhe ndihmëssekretaren e Shtetit për Politikë të Jashtme, Viktoria Nuland.
 
Gazetarët dhe analistët politik, lidhur me këtë vlerësojnë se me angazhimin eventual të presidentit Obama mund të vijë deri në zgjidhjen e kontestit të emrit.                                                                                                       
“Unë personalisht ashtu edhe si gazetarë të tjerë të huaj që janë të akredituar në Athinë, e dimë shumë mirë se që nga muaji nëntor i muajit të kaluar, kur kanë filluar të vijnë emisarë amerikan, sekretar të ndryshëm të administratës Obama, një nga pikat e diskutimit ka qenë pikërisht pranë zhbllokimit të ngërçit në arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë, me qëllim që të mundësohet anëtarësimi në NATO fillimisht dhe më pas edhe çelja e negociatave të Maqedonisë në BE”, deklaroi korrespodenti i televizionit shqiptar, ABC News, në Greqi, Rober Goro.
 
Ndërsa profesori universitar, Ylber Sela, thotë se të gjitha mënyrat e arritjes së një kompromisi me Greqinë tani më janë shterrur dhe forma e vetme që ka mbetur është imponimi.                                                                                                                
“Besoj se angazhimi i SHBA-ve, sidomos e presidentit Barak Obama, besoj se do të japë kontributin e tij, duke i imponuar dy palëve edhe palës maqedonase edhe palës greke, një zgjidhje konkrete e cila do të çonte anëtarësimin e Maqedoninë në shtator si anëtare e NATO-s dhe kjo do të thotë shumë për Maqedoninë, rajonin dhe shtetet tjera që e rrethojnë Maqedoninë”, u shpreh profesor universitar, Ylber Sela.
 
Analisti Sela po ashtu nënvizon se anëtarësimi në NATO do të thotë stabilitet, paqe dhe siguri dhe mosanëtarësimi në NATO i rrezikon këto tre elemente, kjo sipas tij do të ishte fatale për Maqedoninë, pasi do të sillte elemente tjera në shprehje, të cilat do të shkonin në dëm të Maqedonisë, duke marrë parasysh edhe rrethanat me fqinjët, me të cilët vendi ynë ka konteste të ndryshme. 
 
MEFAIL ISMAILI