Maqedoni
72 vjet “Radio Shkupi”, Vllasaku-Mehmeti: Presim unifikim të programit në gjuhën shqipe
28.01.2017 18:37
Sot bëhen 72 vite që nga 28 janari i viti 1945, kur për here të parë, radio Shkupi i drejtohet auditorit shqiptar...

“Ju flet radio Shkupi”, ishte kumti i parë që jehoi në eter nga Vllado Maleski dhe për një kohë të gjatë ky institucion medial ishte pionier i vetëm shqiptar në informimin dhe zhvillimin e kulturës, historisë dhe edukimit të brezave të shumtë.
Krahas vështirsive nismëtare, radio Shkupi në vazhdimsi ka zgjeruar skemën programore, duke përfshirë çdo sferë të shoqërisë, sot funksionon me tre njësi programore, me 11 redaksi të tjera, si dhe 2 seksione të gjuhës dhe të producentëve.
Në këtë zhvillim të hovshëm të teknologjisë që ka sjellur më pranë auditorit formate të reja mediale, ky institucion dinjitoz vazhdon të mbaj qëndrueshmërinë.
“Jemi të vetëdijshëm për ekspansionin medial, andaj dhe përpiqemi që ta ruajmë rolin emblematik të Radios si medium, që është megjithatë garuesi me i shpejtë në përçimin e informacionit”, shprehet drejtorja e Radios së Maqedonisë, Ajten Vllasaku – Mehmeti.
Edhe në këtë përvjetor të funksionimit, sfida parësore e radio Shkupit , qëndron tek cështja e digjitalizimit si dhe zgjerimit të programit në 24 orë transmetim të pandërprerë në gjuhën shqipe.
“Programi është freskuar me përmbajtje të reja , gjë që është plotësisht normale. Janë bërë intervenime në modernizimin e teknikës në Radio, gjë që është në vijim. Në procedurë është , sipas informacioneve të Radiodifuzionit të Maqedonisë, zëvendësimi I përçuesve të vjetër të sinjalit , me përçues të rinjë, gjë që do të ndikojë në rritjen dhe më të madhe të ndëgjueshmërisë. Poashtu është në rrjedhë, procedura e digjitalizimit të materialeve arkivore, të cilat janë në medium të ndryshme, të kalojnë në medium të unifikuara dhe të arkivohen , në mënyrë që secili të ketë qasje tek përmbajtja permes faqes tone në internet . Do të iniciojmë qështjen e unifikimit kohorë të programit në 24 orë të Radios dhe shpresoj që t’ia arrijmë”, shprehet drejtorja e Radios së Maqedonisë, Ajten Vllasaku – Mehmeti.
Vllasaku Mehmeti thotë se në këtë periudhë pritet edhe miratimi i sistematizimit të ri të vendeve të punës nga ministria për shoqëri informative dhe ajo e finansave.
ARLINDA BAFTIU
