Botë

KE: Raund i ri i negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit

29.01.2017 13:09

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherit edhe nën-kryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogerini...

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherit edhe nën-kryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogerini, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel për një takim tjetër të dialogut të nivelit të lartë që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, njofton Koha.Net.
 
Takimi i radhës do të zhvillohet të mërkurën më 1 shkurt, 2017.
 
"Ky takim është vazhdimi i atij të mbajtur më 24 janar ku të dyja palët u pajtuan që të lënë tensionet prapa dhe të përqendrohen në punë përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja", thuhet në njoftimin e zyrës së Mogerinit, raporton Koha.net.
 
"Përfaqësuesja e Lartë pret me padurim vazhdimin e diskutimeve, për çështje me rëndësi dhe diskutimet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun. Progresi drejt BE-së është i lidhur për të dyja, për Kosovën dhe Serbinë, përbrenda dialogut", ka përfunduar njoftimi i zyrës së Mogerinit.
 
Duhet theksuar se në këtë takim nuk janë ftuar dy presidentët e shteteve dialoguese, Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliqi, të cilët në takimin e 24 janarit ishin prezentë./mia