Maqedoni

Analistët: Bojkoti i BDI-së, besnikëri ndaj votuesve

12.05.2014 18:37

Mospjesëmarrja e BDI-së në inaugurimin e presidentit, Gogje Ivanov, është një hap i drejt dhe besnik ndaj popullit shqiptarë...

Mospjesëmarrja e BDI-së në inaugurimin e presidentit, Gogje Ivanov, është një hap i drejt dhe besnik ndaj popullit shqiptarë dhe kjo gjë edhe njëherë pasqyron pozicionet e qarta dhe të forta që i ka BDI për çështjet kryesore, siç është mospranimi i legjitimitetit të presidentit, thotë analisti Ismet Ramadani.
 
Kjo gjë sipas tij, shpreh plotësisht vullnetin e shqiptarëve, të cilët në zgjedhjet e fundit  presidenciale i  thanë “JO” presidentit të njëanshëm! 
 
“Mendoj se BDI me mospjesëmarrjen e vet në inaugurimin e presidentit ka shprehur  vullnetin e elektoratit,vullnetin e  shqiptarëve, i cili për asnjë mënyrë nuk ishte i gatshëm të japë votën për këtë kandidat dhe mendoj se ashtu u desh të veprojë. Kjo definitivisht edhe  njëherë e  përforcon ajo që është thënë edhe më përpara nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, se ky kryetar nuk do të ketë legjitimitetin e shumicës shqiptare…”, deklaroi analist Ismet Ramadani.
 
Një hap i gabuar është pjesëmarrja e të gjithë deputetëve të PDSH-së në inaugurimin e presidentit. 
 
Sipas Ramadanit, PDSH dhe vetë lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, ra vetë në kurth, sepse vepron ne kundërshtim me atë që e ka thënë më herët gjatë fushatës zgjedhore, se do të sigurojë incizime se si deputetët e BDI-së do t’i japin përkrahje presidentit në Kuvend. 
 
“Kjo prezencë e deputetëve të PDSH-së bashkë me liderin e tyre, mendoj se është në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve dhe kjo prezencë dhe kjo përkrahje i këtij presidenti në një mënyrë është për ta përshëndetur. Nuk është mirë një pjesë e shqiptarëve të diferencohen deri në atë masë, që dikush ta shfrytëzojë si alibi këtë dhe se ja paska edhe shqiptarë që më përkrahin”,  tha analisti Ramadani.
 
Mosnjohja e presidentit nga ana e BDI-së është vetëm një hap i cili tregon se presidenti i sapozgjedhur do të kundërshtohet nga deputetët e BDI-së, vlerëson për TVM2 analisti Ismet Ramadani.
 
REXHEP  QAMILI