Tenis

Finalja e legjendave për Federer

29.01.2017 16:35

Nën drithërime të një sportisti të veçantë, Roger Federer shikoi inçizimin se si topi I tij ishte brenda në lojë për të marrë përfundimisht, game-set dhe meç nga referi për të shpërthyer në lot...

Roger Federer, ka arritur të fitojë Australian Openin e gjashtë në karrierë dhe Grand Slamin e 18.

Roger Federer në moshën 35 vjeçare po e kërkonte Grand Slamin e 18 në karrierë, ndërsa Rafael Nadal 30 vjeç po kërkonte të 15-tën. Dy tenistët më të popullarizuar në botë, ndër sportistët më të mirë që ka parë njerëzimi, dhanë spektakël 5 setësh në finale të Australian Open, që të gjithë e donin, por nuk e prisnin në fillim të turneut.

Roger Federer nisi furrishëm finalen, ndërsa Rafael Nadal barazoi në 1-1 në setin e dytë që zgjati 42 minuta. Seti i tretë ishte totalisht i zviceranit, me 6-1 ai tejkaloi parashikimet për të marrë epërsinë në 2-1.

Por Nadal në setin e katërt u kthye kur theu zviceranin për ta marrë setin 6-3 dhe për të barazuar gjithçka në ndeshje, 2-2 me sete. I pesti nisi me ‘break’ të Nadalit dhe spanjolli iu afrua trofeut kur krijoi epërsinë 2-0. Federer luftoi shumë për të thyer një ‘game’ të Nadalit dhe këtë e arriti pas shumë tentimeve në 3-3 dhe për të marrë primatin e shërbimit.

Federer avancoi 4-3 dhe e theu pas mbi 10 minutave lojë ‘game’in e Nadalit për t’iu afruar trofeut 5-3 dhe nisi sherbimet e tija.

Në këto momente ishin bërë 3 orë e 32 minuta lojë ne kete finale gurmanësh! E në fund Federer kreu gjithçka me 6-3 për të arritur të pamundurën për një 35 vjeçar, duke fituar gran slamin e 18.

Pas finales epike, Federer thurri fjale miradie për kolegun dhe rivalin më të madh të tij: Dua ta përgëzoj. U takuam para disa muajsh në Akademinë e tij dhe nuk e kishim menduar kurrë që do të ishim sot në këtë finale.

Sot edhe humbja do të më kënaqte. Tenisi është një sport i vështirë, pasi nuk ekziston barazimi, që do të ishte rezultati më i duhur për këtë finale. Falënderoj ekipin tim për mbështetjen, pasi ka qenë një rrugëtim fantastik.

Urime edhe për Nadal, të uroj suksese të tjera, pasi tenisi ka nevojë për ty”, tha Federer pas ndeshjes.