Botë

Trump, biseda telefonike me Putin dhe Merkel

29.01.2017 16:54

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka realizuar bisedën e pare telefonike me me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin...

Shtëpia e Bardhë tha se biseda me presidentin rus e zhvilluar mbrëmë vonë ishte “pozitive” dhe “fillim i rëndësishëm për përmirësim të raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që kanë nevojë për ripërtritje”.

“Presidenti Trump dhe presidenti Putin shpresojnë se pas bisedës së sotme të dy palët mund të lëvizin më shpejtë për tu marrë me terrorizëm dhe çështjet e tjera të rëndësishme të shqetësimit të dyanshëm”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Shtëpisë së Bardhë.

Nga ana tjetër, Kremlini tha se Putin dhe Trump ishin në favor të idesë për koordinim të aksioneve ruse dhe amerikane në Siri, me qëllim që t’i shkaktohet disfatë grupit, Shteti Islamik, dhe atyre që presidenca ruse i ka cilësuar si “grupe të tjera terroriste”.

Presidenti amerikan ka telefonuar edhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, me të cilën kanë shprehur rëndësinë e aleancës së NATO-s për sigurinë globale.

 

Sipas kumtesës së Shtëpisë së Bardhë, të dy liderët “janë pajtuar për rëndësinë fundamentale të NATO-s për marrëdhëniet më të gjëra transatlantike dhe për rolin e saj në sigurimin e paqes dhe stabilitetit të komunitetit tonë të Atlantikut Verior”.

Donald Trump dhe Angela Merkel, po ashtu, kanë diskutuar për “Nevojën për forcimin e bashkëpunimit tashmë të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe për të punuar në stabilizimin e hapësirave të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore”.

Në deklaratën e përbashkët theksohet se është diskutuar edhe për Rusinë dhe Ukrainën, por nuk janë dhënë detaje. Një zëdhënës i kancelares Merkel tha se Trump e ka pranuar ftesën e kancelares për të marrë pjesë në samitin G-20 në Hamburg të Gjermanisë, në muajin korrik.

Ndërkohë njoftohet se Trump i kërkoi ushtrisë amerikane që të paraqiste një plan të ri kundër ISIS-it dhe kjo brenda një afati njëmujor.  

”SHBA duhet të marrin veprime vendimtare për të mundur ISIS-in dhe plani për këtë gjë duhet të fillojë menjëherë”, thuhet në një dokument të publik nga administrata amerikane.

GAZMEND KURTISHI