Maqedoni

Inaugurimi i presidentit pa BDI-në dhe Opozitën

12.05.2014 18:42

Bashkimi Demokratik për Integrim bojkotoi aktin e inaugurimit të presidentit, Gjorge Ivanov, në Parlament...

Bashkimi Demokratik për Integrim bojkotoi aktin e inaugurimit të presidentit, Gjorge Ivanov, në Parlament.
 
Kjo parti një qëndrim të tillë e ka marrë pasi që ideja për një kandidat konsenzual nuk mori mbështetje nga partitë tjera politike.
 
As një nga deputetët e BDI-së nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa 7 deputetët e PDSH-së ishin të pranishëm. Për BDI-në presidenti Gjorge Ivanovi është jolegjitim, ndërsa për PDSH-në legjitim.   
 
“Për ne zoti Ivanov edhe pse i zgjedhur në një proces legal, për shqiptarët është jolegjitim, sepse nuk reflekton vullnetin e popullit të dytë më të madh në Maqedoni. Secili institucion që nuk ka vullnetin e dy komuniteteve, sipas MO-së është jolegjitim. Shqiptarët mbi 90 për qind i thanë jo presidentit të njëanshëm dhe ne do të respektojmë vullnetin e tyre. Pra, problem i legjitimitetit të z. Ivanovit nuk është problemi yni, por i gjithë atyre që mendojnë se mund ta ushtrojnë autoritetin politik mbi 90 për qind të shqiptarëve që i thanë jo presidentit të njëanshëm”, deklaroi nga BDI, Talat Xhaferi.
 
“Morëm pjesë, pasi që ky është qëndrimi ynë parimor gjatë këtyre zgjedhjeve. Kemi qenë kundër bojkotit dhe nuk kemi bërë shantazhe, kërcënime dhe terror mbi votuesit që mos të dalin të votojnë. Ne i kemi lënë qytetarët të lirë, për cilin kandidat duan vetë të votojnë. Presidenti është legjitim, pasi që e ka votuar pjesa dërmuese e qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi nga PDSH, Bekim Fazliu.
 
Ilija Dimovski, duke komentuar qëndrimin e BDI-së për bojkot, u shpreh se është qëndrim i tyre, ndërsa legjitimitetin presidenti e merr nga qytetarët e jo nga partitë.
 
“Vendim që çdo parti mund ta sjellë. Unë do të kisha thënë se legjitimitetin e presidentit të Republikës së Maqedonisë e japin qytetarët me anë të votave të tyre dhe votat nuk mund të ndahen as në vota partiake, etnike dhe përkatësie fetare. Qytetarët e Maqedonisë vendosën që Gjorge Ivanov të jetë president dhe këtë duhet ta pranojnë të gjitha partitë politike, pasi ky ishte vullnet i qytetarëve”, tha nga VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski.
 
LSDM, përpos mospranimit të mandateve të deputetëve, nuk e pranon edhe Gjorge Ivanovin për president, me arsyetimin se është rizgjedhur me vota të falsifikuara.
 
AFRIM TANALLARI