Maqedoni

Gjorge Ivanov inaugurohet si president

12.05.2014 18:51

Në atmosferë jo edhe aq festive, i bojkotuar nga deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim...

Në atmosferë jo edhe aq festive, i bojkotuar nga deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, deputetët e koalicionit të udhëhequr nga LSDM dhe deputeti i RDK-së, presidenti i sapozgjedhur për një mandat të dytë, Gjorge Ivanov, dha betimin në Kuvendin Republikan.
 
Bojkoti i presidentit nga BDI dhe mosnjohja e rezultatit zgjedhor nga opozita maqedonase dhe RDK, nuk ngelën pa u përmendur nga presidenti i sapozgjedhur, madje Ivanovi qëndrimin e tij për këto çështje e paraqiti që në fillim të fjalimit.
 
Sipas tij, bojkoti i institucioneve nga ana e LSDM-së është bojkotim i demokracisë dhe vullnetit të votuesve, ndërsa kërkesa e BDI-së për një president konsenzual është jashtëkushtetuese. 
 
“Një pjesë e kryesisë së një partie politike, para dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale insistonte në një lloj kryetari konsenzual të Republikës së Maqedonisë. Kategori që nuk ekziston në Kushtetutë dhe ligje dhe as që paralajmërohet në Marrëveshjen e Ohrit. Betimi më obligon që publikisht të them dhe të kundërshtoj çdo ide apo koncept që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në R. M.-së”, deklaroi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov
 
Ivanovi tha se do të angazhohet për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, por gjithashtu theksoi se nuk do të lejojë ndërrimin e emrit kushtetues të Republikës.
 
“Kushtetuta mbi të cilën dhashë betimin, gjithashtu më obligon që të mbrojë emrin kushtetues të Shtetit tonë. Prandaj nuk do të lejoj ndryshimin e Kushtetutës për të ndryshuar emrin kushtetues, Republika e Maqedonisë. Nuk do të pranoj ide dhe propozime të cilat do të rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, të veçantën e kombit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin e bashkëjetesës”, shtoi më tej në deklaratën e tij, Ivanovi.
 
Me bindjen se bashkëjetesa në Maqedoni ka traditë shekullore, Ivanovi në fjalimin e tij nuk u kushtoi rëndësi marrëdhënieve ndëretnike dhe as Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, respektimi dhe pranimi i dallimeve janë vlera që i ndajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
 
SHPËTIM NUREDINI