Maqedoni

Nuk ka marrëveshje për qeverinë e re, BDI: Pesë opsionet mbeten ende në tavolinë

30.01.2017 09:17

BDI nuk arriti mbrëmë të marrë asnjë vendim për koalicionim me mandatarin, Nikolla Gruevski...

Zëdhënësi i integristëve, Bujar Osmani, theksoi mbrëmë pak para mesnatës se nuk ka vendim partiak për koalicionim dhe se pesë opsionet mbeten të hapura.
 
“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se për momentin nuk kemi argumente të mjaftueshme për t’u përcaktuar për njërën nga pesë opsionet të cilat i kemi në tavolinë, kështu që debatet dhe konsultimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Për ne ishte me rëndësi të respektohet vullneti i qytetarëve shqiptarë, kontratën që e kemi nënshkruar me ata, vendimin ta kemi sa më të mirë dhe të bazuar në argumente... Vlerësojmë se sot nuk është shterur ai debat dhe nuk mund të sillnim një vendim”,- theksoi Osmani.
 
BDI-ja në bisedime me këtë parti ishte futur me kërkesat që janë pjesë e deklaratës së partive politike shqiptare, tri prej të cilave për të ishin të panegociueshme: Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë. 
 
MIGENA GORENCA