VMRO-DPMNE: Zgjedhjet e vetmja zgjidhje për krizën e re
Edhe VMRO-DPMNE-ja ka njoftuar për dështimin e bisedimeve, ndërsa si mundësi për dalje nga kriza e re ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare...

“VMRO-DPMNE konsideron se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, e jo të thellimit të saj. VMRO-DPMNE konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave prioritare, në plan të parë”,- thuhet në komunikatën e publikuar menjëherë pas vendimit të BDI-së.
Çdo zgjidhje tjetër, sipas VMRO-DPMNE-së, “do të çojë drejt konfliktit të ri në shoqërinë edhe ashtu të ndarë”. VMRO pretendon se “Dikush dëshiron të anashkalojë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe ta fusë Maqedoninë në një fazë të re pasigurie”.
Pas dështimit të Nikolla Gruevskit mbetet dilema nëse presidenti, Gjorgje Ivanov, do t’i japë mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM-së së Zoran Zaevit, për të nisur bisedimet për formimin e qeverise së re.
Ditëve të fundit ka pasur vlerësime të ndryshme që pretendojnë se presidenti, duke u bazuar në paqartësitë që dalin nga Kushtetuta, mund të taktizojë për të anashkaluar LSDM-në dhe mandatin sërish t’ia delegojë një anëtari tjetër të VMRO-së.
