Botë
Protesta ndaj vendimit të Trumpit, gjykatësit federalë pezullojnë urdhrin
30.01.2017 12:49
Donald Trump hyn në javën e dytë të Presidencës së tij mes përplasjesh politike, protestuesish nëpër rrugë...

Donald Trump hyn në javën e dytë të Presidencës së tij mes përplasjesh politike, protestuesish nëpër rrugë, procesesh gjyqësore që shtohen dhe frakturave brenda vet partisë së tij në lidhje me urdhrin polemizues të ndalimit të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
I palëkundur nga qëndrimi i tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi përmes një deklarate për shtyp se vizat do të mund të lëshohen sërish vetëm kur të kenë hyrë në fuqi politikat më të sigurta të vendosura ndonjëherë. Bllokimi, sipas tij, nuk shënjestron myslimanët. Por, reagimet kanë qenë të menjëhershme. 16 prokurorë shtetërorë thonë se urdhri ekzekutiv i miliarderit të shndërruar në politikan është jokushtetues.
Disa gjykatës federalë e kanë pezulluar përkohësisht deportimin e njerëzve të pajisur me viza. Urdhri i firmosur të premten ndaloi për 120 ditë edhe të gjithë programin amerikan të refugjatëve, duke mos lejuar hyrjen e refugjatëve sirianë.
Masa e marrë shkaktoi konfuzion të gjerë, pasi refugjatë, rezidentë me karta të gjelbra, studentë dhe punonjës u mbajtën në aeroportet amerikane, ose u ndaluan të hipin në avionët e linjave ajrore që udhëtojnë drejt ShBA-ve.
Komuniteti sirian në Sacramento druhet për të ardhmen e tij.
“Kam frikë sepse familjen e kam aktualisht në Jordani. Ata duan të vijnë këtu sepse jemi të ndarë. Disa në Jordani, disa të tjerë në Norvegji, vëllezërit i kam në Arabinë Saudite. Po të mos ishte për urdhrin e Trumpit, mund të bashkoheshim të gjithë këtu. Jetës nuk i dihet, mund edhe të vdesim e të mos takohemi dot”,- tha refugjati, Abdul Fatah Mahmoud Shatat.
GAZMEND REXHEPI
