Kociançiç: Formoni qeveri stabile, s’keni kohë për të humbur

30.01.2017 14:28

Bashkimi Europian ka ftuar të gjithë aktorët politikë në Maqedoni....

Bashkimi Europian ka ftuar të gjithë aktorët politikë në Maqedoni, përfshirë edhe presidentin, të veprojnë me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi të plotë për të zgjidhur situatën e krijuar pas mosarritjes së një marrëveshjeje për formimin e qeverisë me mandatar Nikolla Gruevskin.

Zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiç, ripërsëriti qëndrimin se vendi nuk ka kohë për të humbur.

“Ne presim që presidenti, në bazë të Kushtetutës, të hapë konsultimet urgjente me forcat politike në vend,  që sa më shpejt të arrihet marrëveshje për formimin e një qeverie që do të ketë mbështetjen e 61 deputetëve të domosdoshëm për formimin e një koalicioni stabil dhe solid. Ashtu si e kemi thënë edhe më herët, një koalicion i tillë duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të përqëndrohet në reformat inkluzive dhe në bashkëpunimin ndërtenik. Ne presim që qeveria e ardhshme dhe të gjitha forcat politike të vazhdojnë implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe adresimin e prioriteteve parësore reformuese, që janë thelbësore për ardhmërinë dhe progresin e vendit drejt rrugës euroatlantike”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiç.

Kociançiç përkujtoi liderët politikë se kanë marrë një angazhim para qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar për të respektuar marrëveshjet e nënshkruara dhe për t’u përqëndruar nga reformat dhe qytetarët e vendit presin pikërisht që liderët të mbajnë premtimet që i kanë dhënë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)