Maqedoni
Testimi ekstern, maturantët: Ende ka pyetje me gabime; profesorët: Pyetjet të përkthyera me Google Translate
30.01.2017 14:55
Për 18.600 maturantë filluan ethet e testimit ekstern, që do të zgjasin deri më 3 shkurt...

Por, maturantët ankohen se edhe përkundër premtimeve, gabimet në pyetjet e testimit në disa lëndë kanë mbetur të pandryshuara.
“Vazhdon të ketë gabime në testimin ekstern, vazhdon të jetë i njëjti, unë bile e pashë edhe një pyetje në gjuhën shqipe, e cila ishte: në vitin 1912 çfarë ka ndodhur, kur ne e dimë që në këtë vit ka ndodhur Pavarësia e Shqipërisë dhe aty kishte opsione të ndryshme dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e saktë. Unë mendoj se testimi ekstern duhet të largohet dhe të jemi ne të fundit që e bëjmë këtë”,- deklaroi një nxënës.
“Jam testuar në lënden e maqedonishtes dhe gjithçka ka qenë në rregull, nuk kemi vërejtur gabime”,- theksoi një nxënëse.
“Unë si nxënës i ZLM-së jam testuar në lëndën e logjikës. Kemi hasur në disa gabime, ka pasur pyetje të njejta, ka pasur edhe pyetje të cilat nuk janë në gjuhën tonë që mësojmë, në gjuhën maqedonase. Dhe, sipas përgjigjes, në një pyetje ka dy përgjigje të njejta, ku nuk e di se cilën ta klikosh të parën apo të dytën” ,- tha një nxënës.
Profesori, Burim Aliu, mendon se pyetjet nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe nuk janë të përkthyera nga përkthyes profesionistë, por ai është i mendimit se pyetjet janë të përkthyera nga Google Translate.
“Unë po e shoh se nuk është mirë përkthimi i bërë me mund, të themi se është me Google Translate. Personi duhet të jetë adekuat, për atë të konsultohet me çdo profesionist të lëndës, p.sh. nëse është i gjuhës shqipe, duhet të konsultohet me lektoren ose mësuesin e gjuhes tjëter apo lëndëve tjera. Mund të themi ashtu siç po e shohim, ka paqartësi dhe mendoj që është ashtu. Janë ata anomali që i kam vërejtur edhe më parë. Testimi ekstern po shkon në përmisimin, shpresojmë që në të ardhmen nuk do të ketë asnjë gabim”,- u shpreh profesori, Burim Aliu.
Rezultatet e testimit pritet të shpallen më 7 shkurt të këtij viti.
REJHANE BUSHI-METAJ
