BE ndihmon EShS-në për statistika të besueshme, sipas standardeve të BE-së

30.01.2017 15:09

Bashkimi Europian në 19 muajt e ardhshëm do të ndihmojë në përforcimin e kapaciteteve....

Bashkimi Europian në 19 muajt e ardhshëm do të ndihmojë në përforcimin e kapaciteteve institucionale të Entit Shtetëror të Statistikave, njofton TVM2.

Përmes këtij projekti do të edukohen të punësuarit për implementimin e standardeve ndërkombëtare, mënyrën e grumbullimit të të dhënave për të garantuar cilësi dhe për të përmirësuar punën e të punësuarve në Entin  Shtetëror të Statistikave, që është institucioni përgjegjës për përpilimin e mbi 85% të të dhënave statistikore. 

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të shkëmbejmë eksperiencat dhe praktikat tona me institucionet  e Maqedonisë, që në të ardhmen të përmirësojnë procesin e përgjithshëm të krijimit të statistikave të sakta zyrtare dhe të njëjtat do të prezantohen ashtu siç janë para institucioneve të tjera të vendit”,- theksoi përfaqësuesi i delegacionit të BE–së, Nikolla Bertolini.

“Projekti ka për qëllim të avancojë procesin e marrjes së vendimeve nga ana e institucioneve vendore, sektori i biznesit dhe qytetarëve, duke përgatitur statistika të mirëfillta ndërkombëtare në pajtueshmëri me standardet europiane”,- theksoi Tanja Blazhevska nga SQE.

Nga “Eurostart” thonë se puna e tyre bazohet në profesionalizëm dhe objektivitet, por kjo nuk është e lehtë në një kohë kur politika përzihet edhe në procesin e grumbullimit dhe prezantimit të statistikave të ndryshme, raporton TVM2.

“Statisticientët janë persona të pavarur. Ne nuk marrin urdhra nga politikanët se si për shembull duhet definuar popullsia. Ne punojnë me metodologji të saktë llogaritjeje, jemi të paanshëm, objektivë dhe përpiqemi të reflektojmë gjendjen reale në mënyrë sa më të mirë, dhe kjo shpeshherë është shumë e vështirë”,- u shpreh Klaudia Junker nga “Eurostart”.

Projekti për përkrahje i Entit Shtetëror të Statistikave për ndërtimin e kapaciteteve dhe avancimin e harmonizimeve konform standardeve të BE-së  ka  vlerë prej 742  mijë euro. (Rexhep Qamili, TVM2)