Maqedoni
“Aleanca për shqiptarët”: Gruevski dështoi; Taravari: Nëse e pranojnë platformën, qeveri me LSDM-në
30.01.2017 15:19
“Aleanca për Shqiptarët” ka komentuar mosarritjen e marrëveshjes për qeverinë e re mes dy partive që fituan shumicën e votave në zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Sipas “Aleancës për shqiptarët”, mandatari Gruevski ka dështuar të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 deputetësh, pasi nuk ka qenë i gatshëm të pranojë kërkesat e platformës së tre partive shqiptare. Për Aleancën, mandati duhet t’i jepet tani LSDM-së, e cila duhet të dakordohet me partitë shqiptare për të formuar qeverinë e re dhe për t’i dhënë fund krizës politike.
Sipas Arben Taravarit nga LR-PDSh, “Aleanca për shqiptarët” është e gatshme të ulet në tavolinë me socialdemokratët, nëse partia e Zaevit pranon kushtet e platformës së përbashkët. Zgjedhjet e reja në këtë periudhë, sipas tij, do të kishin ndikim negativ.
“Ne ishim decid se nuk ulemi me zotin Gruevski për shkak të kampanjës që e kishte shoviniste, për shkak të qëndrimeve dhe për shkak të përgjimeve. Tash mbetet opsioni i dytë LSDM. Unë mendoj se Maqedonia është gati se dy vjet në krizë dhe nuk ekziston kombinim tjetër përveç se të ulen partitë opozitare shqiptare bashkë me BDI-në dhe LSDM-në dhe të formojnë një qeveri të re politike, e cila do ta stabilizojë vendin në periudhën e ardhshme, që të shkohet pastaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”,- deklaroi Arben Taravari nga “Aleanca për shqiptarët”.
Nga Lëvizja “Besa” presin vendimin e kryesisë qendrore në mbrëmje për të dalë me qëndrim në lidhje me krizën e re të krijuar pas mosarritjes së dakordimit për qeverinë e mandatarit Gruevski. Prononcim paralajmëruan gjatë ditës së martë.
ERSAN PAJAZITI
