Pagesa e ndarë sipas gjinisë, puna e njëjtë, pagat e ndryshme
Femrat paguhen më pak nga meshkujt edhe kur bëjnë të njëjtën punë, njofton TVM2...

Një analizë e Institutit për hulumtime ekonomike “Finance Think”, me pagën që marrin për orarin e punës prej orës 08:00 deri në orën 16:00, femrat do të duhet të dalin nga puna në orën 15:04 minuta, pasi aq është paga që e marrin në fund të muajit.
Hendeku mes pagave të meshkujve dhe femrave për punën e njëjtë shkon nga 12 - 28%. Meshkujt marrin rroga më të mëdha se femrat nëse krahasohet mosha, stazhi dhe madhësia e ndërmarrjes. Përjashtim përbëjnë personat me stazh pune midis 30 dhe 34 vite, ku femrat marrin rrogë më të madhe për 6%.
“Në Maqedoni femrat marrin mesatarisht 12,5% pagë më të vogël se meshkujt. Kur merren parasysh karakteristikat si arsimi, stazhi, mosha dhe në cilin profesion profilizohen, ky hendek rritet në 17,3%. Madje tek popullata ku dominon arsimi fillor, ky hendek arrin deri në 28%. Kjo do të thotë se femrat për punë me vlerë të njëjtë përfitojnë më pak rrogë se meshkujt",- deklaroi Bllagica Petreski nga Instituti për hulumtime ekonomike "Finance Think".
Ekspertët thonë se duhet të merren masa të orientuara drejt aktivizimit të femrave në tregun e punës, si pengesë kryesore aktualisht. Gjithashtu masat duhen orientuar edhe në tejkalimin e stereotipave për ndarjen e punëve në punë për meshkuj dhe për femra, si dhe në nxitjen e mbështetjes nga familja dhe partneri. Kompanitë që janë treguar si pagues korrektë janë kompanitë në sektorin e ndërtimtarisë, IT-së, si dhe në Industrinë e shtypshkronjave, raporton TVM2.
"Kemi edhe meshkuj edhe femra arkitekte dhe projektuese, ndërsa shumica e projektueseve janë femra, por në pjesën e aktivitetit të rëndë fizik duhet të kemi popullatë mashkullore”,- theksoi drejtoresha ekzekutive në një kompani inxhinierike, Dragana Çifliganec.
Projekti është mbështetur nga Iniciativa e Europës Qendrore KEP- Austri, me mjete nga Fondacioni zhvillimor austriak. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
