Maqedoni

Zaev: pres që Ivanovi të më dorëzojë mandatin; VMRO-DPMNE: zgjedhje të reja për dalje nga kriza; BDI: me rëndësi vullneti i shqiptarëve, jo afatet kohore

30.01.2017 16:53

Pas dështimit të VMRO-DPMNE-së për formim të Qeverisë, LSDM kërkon që mandati...

Pas dështimit të VMRO-DPMNE-së  për formim të Qeverisë, LSDM kërkon që mandati t’u jepet socialdemokratëve.
 
“Nikolla Gruevski asnjëherë më nuk do të jetë kryeministër, pres që Ivanov të ma dorëzojë mandatin, përndryshe do të ishte shkelje e funksionit”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Sa i përket platformës së shqiptarëve, Zaev tha se me qëndrim konkret do të dalë pasi të marrë mandatin.
 
“U tregua se ai nuk e ka shumicën e nevojshme për formim të Qeverisë. VMRO-DPMNE mbrëmë edhe zyrtarisht e humbi të drejtën për formim të Qeverisë. Maqedonia nuk ka kohë për të humbur, qytetarët kanë vendosur dhe unë pres që Ivanovi të ma dorëzojë mandatin, përndryshe do të ishte shkelje e funksionit. Kam thënë se kemi qëndrim thelbësor edhe për Platformën shqiptare. Shpresoj se do ta fitojmë mandatin që menjëherë t’i themi qëndrimet tona. Ne kemi punuar për një shoqëri për të gjithë. Jemi pozitivë në këtë aspekt. Nëse na jepet mandati, do t’i hapim për diskutim çështjet”,- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Përkundër kërkesës së Zaevit, VMRO këmbëngul për mbajtjen e zgjedhjeve të reja si e vetmja mundësi për të zgjidhur krizën.
 
“Mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte vendim i pjekur në funksion të tejkalimit të krizës dhe vënien e reformave në listën e prioriteteve në plan të parë. Çdo vendim tjetër do të sjellë në  konflikte të reja”,- thonë nga VMRO-DPMNE, duke potencuar se mbeten në qëndrimet e manifestit të 17 dhjetorit të vitit të kaluar. 
 
Një nga pikat e këtij manifesti kishte të bënte me moslejimin e Zoran Zaevit që të formojë qeveri duke falsifikuar vullnetin e qytetarëve.
 
“VMRO nuk do të lejonte  funksionimin e institucioneve, të cilët nuk e kanë legjitimitetin e qytetarëve”,- thuhej në manifestin e 17 dhjetorit.
 
VMRO, ndër të tjera, në atë kohë akuzoi edhe ambasadorë të caktuar se po përzihen në politikën e brendshme të shtetit.
 
VMRO e quan manifestin e 17 dhjetorit, që e përmend edhe në kumtesën e fundit, si “manifest për mbrojtjen e demokracisë”. 
 
Nga BDI thonë se me rëndësi është të respektohet vullneti i qytetarëve dhe rëndësi ka një vendim i mirë se sa një vendim i imponuar nga afatet kohore. 
 
“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se ende nuk janë shterur argumentet nga ky debat dhe se nuk kemi për momentin argumente të mjaftueshme për t’u përcaktuar për njërin nga 5 opsionet të cilat i kemi shtruar në tavolinë. Për ne ishte me rëndësi të respektohet vullneti i qytetarëve shqiptarë, kontratën që e kemi nënshkruar me ata, vendimin ta kemi sa më të mirë dhe të bazuar në argumente”,- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Nga BDI thonë se vendimi është i vështirë dhe delikat dhe kanë nevojë për më shumë argumente dhe analiza për t’u përcaktuar për njërin nga 5 opsionet.
 
SANIJE DURAKU