Botë

Ndryshime në kabinetin qeveritar, Rama shkarkon ministrin e Drejtësisë

30.01.2017 17:46

Tronditet fortesa qeveritare në Shqipëri. Kryeministri, Edi Rama, ka shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani...

Tronditet fortesa qeveritare në Shqipëri. Kryeministri, Edi Rama, ka shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, ndërsa në vend të tij ka emëruar nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasilin. 
 
Menjëherë pas vendimit, Manjani e ka akuzuar kryeministrin se ka kapur institucionet, ndërsa sipas tij Rama po e largon për shkak se ka denoncuar situatën me kanabisin.
 
“Kur hyra në qeveri gjeta një praktikë që nuk kishte lidhje me profesionalizmin dhe me Kushtetutën. Ministrat nuk lejohen të flasin në mbledhjen e qeverisë. Me Ramën, asgjë personale, vetëm parimore. Kryeministri i ka bërë presion kryetarit të Parlamentit që të më shkarkonte. Donte të më mbyllte gojën. Ankohej se flisja në media pa lejen e Fugës. Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh. Po dhe mendim, shkarkohesh. Rri urtë, bëj ndonjë tender apo koncesion dhe je në rregull. Ky është mesazhi i kryeministrit”,- deklaroi ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
 
Ndërkohë, në Shqipëri flitet edhe për ndryshime të tjera në qeveri.
 
Analistët flasin për rënie të re të qeverisë kur kanë mbetur më pak se 5 muaj deri në zgjedhjet e 18 qershorit.
 
LULJETA NDOKA