Maqedoni

Rasti “Kumanova”, Raufi: grupit nuk iu dha mundësia të dorëzohet

30.01.2017 18:09

Edhe seanca e 40 me radhë për rastin “Kumanova” u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të dëgjimit të transkripteve...

Edhe seanca e 40 me radhë për rastin “Kumanova” u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të dëgjimit të transkripteve nga bisedat e përgjuara të anëtarëve të grupit.
 
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thotë se bisedat telefonike janë sekret shtetëror dhe si materiale të klasifikuara për to nuk mund të jepet asnjë sqarim, por, sipas tij, një gjë është e qartë tashmë.
 
Personat e akuzuar kanë gjuajtur me armë në vetëmbrojtje, pasi nuk iu dha mundësia të dorëzoheshin.
 
“Këto biseda tregojnë se nuk bëhet fjalë për delikt për terrorizëm, pasi sipas ligjit dihet se cilat janë elementet e këtij delikti dhe është e qartë se ky grup, i cili ka qenë i armatosur, nuk ka sulmuar i pari, por sipas meje ka qenë i detyruar të japë rezistencë, pasi Njësitë speciale të MPB-së nuk kanë qenë të informuar se ku shkojnë, vetë brifingu ose informacioni që e kanë pasur pjesëtarët e policisë ka qenë i limituar, unë këtu e shoh problemin më krucial, se si ndodhi që të ketë edhe sakrifica. Të ishte punuar si duhet, sipas ligjit, nuk do të kishte sakrifica, sepse “Grupi i Kumanovës” ka pasur vullnet të dorëzohet, por MPB-ja nuk ka marrë masa për këtë dorëzim”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Avokati Raufi thotë se MPB-ja nuk i ka respektuar rregullat ligjore, duke hyrë me artileri të rëndë në një lagje të banuar me civilë, duke mos përfillur as kërkesën e të akuzuarve për t’u dorëzuar.
 
Seanca e fundit me dyer të mbyllura do të mbahet më 3 shkurt, ndërkohë më 9 shkurt do të prezantohen provat në një seancë të hapur për publikun dhe mediat, ku avokatët do të fillojnë të shpalosin dëshmitë e tyre.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU