Maqedoni
Gripi i shpezëve, mobilizohen autoritetet, nuk ka nevojë për panik
31.01.2017 14:47
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka filluar asgjësimin e rreth 3.000 shpezëve në fshatin Morishtë të Strugës...

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka filluar asgjësimin e rreth 3.000 shpezëve në fshatin Morishtë të Strugës, të cilat u diagnostifikuan se janë bartës të gripit të shpendëve.
Autoritetet informojnë se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në vend për parandalimin e kësaj sëmundjeje në mesin e kafshëve.
“Kemi shpallur dy zona të mbrojtura nën mbikëqyrje, ku në pajtim me rregulloren në terren po asgjësohen tërë shpezët e prekur nga ky virus dhe kafshët e tjera që kanë pasur kontakt me to”,- theksoi drejtori i AUV-së, Zoran Popovski.
Virusi AH5N8 përhapet shpejtë tek kafshët, është virus me patogjenezë të lartë, i cili sjell vdekshmëri te shpezët, por i njëjti nuk paraqet kërcenim për shëndetin e njerëzve, qetësojnë autoritetet.
“Ky virus nuk është i rrezikshëm për popullatën. Deri tani në botë nuk është regjistruar asnjë qytetar i prekur nga virusi AH5N8”,- tha profesori i mjekësisë veterinare, Aleksandar Dodevski.
Rasti i parë i këtij virusi është regjistruar më 27 janar. Në terren po punojnë mbi 30 ekipe.
Autoritetet e agjencisë u bëjnë thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me ekipet në terren që të asgjësohen të gjitha shpezët në këtë zonë, të cilat kanë potencial që të jenë të prekur nga virusin në fjalë.
Fshati për momentin mbetet i izoluar, ndërsa gjatë ditës së nesërme është paralajmëruar edhe dezinfektimi i fshatit.
REXHEP QAMILI
