Maqedoni

PPS ankohet: Mungon bashkëpunimi me Gjykatën Themelore

31.01.2017 15:08

Pasi që bashkëpunimi në mes Prokurorisë Publike Speciale dhe Gjykatës Penale të Shkupit vazhdon të zhvillohet me obstruksione dhe pengesa..

Pasi që bashkëpunimi në mes Prokurorisë Publike Speciale dhe Gjykatës Penale të Shkupit vazhdon të zhvillohet me obstruksione dhe pengesa, numri një i kësaj prokurorie, Katica Janeva, ka vendosur që të publikojë emrat e gjykatësve që kanë refuzuar kërkesat e kësaj prokurorie.
 
Në komunikatë me shkrim PPS ka njoftuar se gjykatësit janë nga Gjykata Themelore Shkupi 1, të cilët nuk kanë dhënë urdhër për bastisje të disa vendeve dhe institucioneve që lidhen ngushtë me lëndë të hapura dhe lëndë që duhet të hapen nga kjo prokurori gjatë ditëve në vijim. 
 
“Më 20 janar të këtij viti, gjykatësit kujdestarë të Sektorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Gjykatën Themelore Shkupi 1 i kanë dorëzuar disa kërkesa për dhënie të urdhrit për bastisje. Kërkesat e parashtruara kanë të bëjnë me procedura të ndryshme hetimore dhe parahetimore të cilat i zbatojmë ne. Në vazhdën e kërkesave tona janë dorëzuar edhe dëshmi dhe bisedime të bisedave telefonike nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve, për të cilat ka kompetenca Prokuroria Speciale. Edhe pse kërkesat janë dorëzuar te gjykatësi kujdestar, megjithatë për arsye të panjohura për PPS-në, gjykatësi kujdestar është ndërruar dhe kërkesat i janë ndarë gjykatësve të tjerë”,- thuhet në kumtesën e PPS-së. 
 
Nga PPS-ja thonë se vendimet për kërkesat e tyre janë sjellë pas mbarimit të afateve ligjore, me çka procedura është zvarritur dhe ka pamundësuar urgjencën në veprim.  
 
“Kodi Penal parasheh afate të shkurtra, edhe atë me kërkesë për dhënien e urdhrit për bastisje. Gjykatësi është i obliguar që të sjellë vendim në afat prej 12 orëve, ndërkaq nëse shpreh papajtueshmëri, atëherë Këshilli Penal duhet të vendos në afat prej edhe 24 orëve shtesë”,- thuhet në kumtesën e PPS-së. Kërkesa e vetme për bastisje që është pranuar ka të bëjë me rastin “Titanik”. 
 
“Të gjitha kërkesat tjera për dhënie të urdhrit për bastisje, të cilat kanë të bëjnë me ish funksionarë të lartë dhe funksionarë të lartë të tanishëm, nga PPS njoftojnë se janë refuzuar. Gjykatësve për procedurë hetimore, të cilëve u janë ndarë këto lëndë, janë Elena Josifoviq dhe gjykatësja, Aleksandra Pop-Stefanija, të cilat kanë shprehur papajtueshmëri për kërkesat për dhënie të urdhrit për bastisje, ndërkaq Këshillat Penal të përbërë nga gjykatësit, Lubinka Basheska, Goran Boshevski dhe Vlladimir Pançevski, nga njëra anë dhe gjykatësit, Lenka Davitkova, Diana Gruevska Ilievska, Ivica Stefanovski, nga ana tjetër, i kanë mbështetur papajtueshmëritë e gjykatësve që nuk i kanë pranuar kërkesat e PPS-së”,- njoftojnë nga PPS.
 
Gjithashtu kësaj prokurorie nuk i janë dorëzuar procesverbalet, e as xhirimet nga seancat e mbajtura me rastin e propozimeve akuzuese të cilat janë dorëzuar në lëndën për dhunë në Komunën Qendër dhe për shkatërrimin e dokumenteve në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. 
 
SANIJE DURAKU