BE kërkon më shumë bashkëpunim me SHBA-në për reformat në Ukrainë
Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje....

Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për më shumë bashkëpunim midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, për t’i çuar përpara reformat në Ukrainë.
Sipas një dokumenti që ka parë Radio Evropa e Lirë, “Ukraina ka potencial për t’u bërë rast pozitiv për rajonin”, porse “do të duhet angazhim afatgjatë politik dhe mbështetje ndërkombëtare”.
Plani vjen në kohën e shqetësimeve në rritje në Evropë se administrata e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, do të rrisë bashkëpunimin me Rusinë, duke reduktuar mbështetjen për Ukrainën dhe duke lënë BE-në me më pak ndikim.
Dokumenti, i cili do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së më 6 shkurt, është hartuar nga Britania, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia.
Në dokument thuhet se “BE-ja dhe SHBA-ja kanë interes të përbashkët për mbështetjen e reformave të Ukrainës”.
Qeveritë perëndimore dhe analistët thonë se reformat gjithpërfshirëse në Ukrainë do të zvogëlojnë ndikimin e Rusisë, e cila ka aneksuar Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe mbështet konfliktin separatist në lindje të Ukrainës.
