Maqedoni
Punëtorët e “Jugohromit” në protesta: të rifillojë puna, njëkohësisht edhe filtrat; “Eco Guerilla”: Tetova pa “Jugohromin”, vendin e 10 në Maqedoni
31.01.2017 15:44
Punëtorët e “Jugohromit” nuk e kanë pritur mirë vendimin e Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësor...

Punëtorët e “Jugohromit” nuk e kanë pritur mirë vendimin e Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësor për vazhdimin e ndalesës së punës së Kombinatit “Jugohromit” edhe për 90 ditë tjera, meqë i njëjti në afatin e paraparë nuk ka vendosur sistem për filtrim, sipas planit operativ.
Punëtorët e “Jugohromit” sot kanë dalë në protesta, duke bllokuar autostradën Shkup-Tetovë dhe Tetovë–Shkup.
Ata kërkojnë nga qeveria që të sjellë një vendim për rihapjen e “Jugohromit”, pasi ekzistencën e sigurojnë pikërisht nga kjo fabrikë. Punëtorët kërkojnë që autoritetet të mendojnë edhe për mbijetesën e tyre.
“Protestojmë, kërkojmë të drejtat tona, për të filluar kombinati me punë. Nuk bisedohet, pa punuar ku do të marrim rrogë, pa punë kush do të sigurojë rrogë pa mos bërë prodhim”,- theksoi një punëtor.
“Ne duam të kthehemi në punë ku kemi qenë. Vështirë është për momentin, pasi këta që kemi dalë sot paguajmë rrymë dhe kontribut shtetit i japim. Qeveria nuk interesohet për qytetarët, ne jemi ata që vendosim për ata jo ata për ne, tani ne të vendosin ata për ne, se kemi mbetur pa punë, shiko gjithë ky popull është, shiko gjithë këta punëtorë janë”,- u shpreh një punëtor.
“Tani qëndrojmë pa rrogë, i tregova edhe këtyre, unë jam veti i teti në familje, pesë vëllezër dhe tre djem jemi aty, katër kemi dalë në pension, katër jemi në punë ende, që një vit nuk punojmë. Nuk është e vërtetë se “Jugohromi” e ndot ajrin, pasi “Jugohromi” nuk ka qenë në Shkup”,- tha një punëtor.
Nga Sindikata e të punësuarve në “Jugohrom” kërkojnë që qeveria të sjellë vendim për rihapjen e fabrikës, dhe kjo e fundit në këtë periudhë të punojë për vendosjen e filtrave.
“Ne si sindikatë, me lëvizjet tona arritëm që punëtorët t’i mbajmë tre muaj në marrëdhënie pune, ato shpenzime diku kanë qenë mbi 1 milion euro. Pronari i ka paguar dhe do t’i paguan ato shpenzime, në vend që ato shpenzime të adresohen në ndërtimin e filtrave. Prandaj ne jemi këmbëngulës që të fillojmë me punë dhe paralelisht të vendosen edhe filtrat. Ministria ka sjellë vendim, po fjalën përfundimtare e ka qeveria dhe presim që qeveria të sjellë vendim” ,- deklaroi kryetari i Sindikatës së “Jugohromit”, Bajram Amiti.
Organizatat joqeveritare thonë se ajri në Tetovë, nga mbyllja e “Jugohromit”, është më i pastër për 40%.
Nga “Eco Guerilla” sqarojnë se gjatë muajit janar të vitit 2017 Tetova ka qenë një nga qytetet më pak të ndotura në Maqedoni krahasuar me periudhën kur ka punuar “Jugohromi” dhe kur Tetova mbante vendin e parë të ndotjes në botë.
“Analizat e publikuara së fundmi nga Instituti i Shëndetit Publik treguan se ndotja e ajrit shkakton numër të lartë të viktimave, por dhe sikur një jetë të shuhej nga pasojat e ndotjes, kjo është e papranueshme për ne”,- thuhet në kumtesën e “Eco Guerillas”.
VISAR SADIKI
