Maqedoni

Garet: Partitë punojnë në formimin e qeverisë; Meta: Situata në Maqedoni, shqetësuese

31.01.2017 16:35

Ambasadori britanik në Maqedoni, Çarls Garet, duke komentuar aktualitetet politike në vend...

Ambasadori britanik në Maqedoni, Çarls Garet, duke komentuar aktualitetet politike në vend, ka thënë se partitë po punojnë në formimin e qeverisë dhe po shqyrtohen të gjitha mundësitë. Sipas Garet, shumëçka varet nga takimet dhe bisedat vijuese të cilat janë duke u realizuar me shpresën se qeveria e re do të vazhdojë reformat.
 
"Ne jemi në një situatë ku janë duke u zhvilluar një numër i madh i bisedimeve për momentin për formimin e qeverisë së re. Situata është e pazgjidhur, ne i kemi rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit. Ajo që është e rëndësishme tani është që të gjitha partitë politike të bëjnë çmos të formojnë qeverinë e cila do t’i realizonte reformat për të cilat ne shpresojmë”,- deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garet.
 
Edhe Brukseli zyrtar ka kundërshtuar zgjedhjet e reja në vend. Eurodeputeti dhe njëkohësisht raportuesi për progresin e Maqedonisë, Ivo Vajgëll, është shprehur se zgjedhjet e reja kërcënojnë thellimin e krizës dhe destabilizimin e vendit. Shqetësimin e tyre për situatën në Maqedoni e ka shprehur edhe Tirana zyrtare.
 
Kryeparlamentari, Ilir Meta, thotë se pozitive si për Maqedoninë edhe për rajonin është pranimi i zgjedhjeve dhe moskontestimi i institucioneve. Ndërkohë, sipas Metës, vetëm stabiliteti i Maqedonisë dhe të drejtat e shqiptarëve mund t’i kontribuojnë proceseve.
 
“Maqedonia është nyja më delikate e rajonit tonë… Për fat të mirë, zgjedhjet e fundit u pranuan nga të gjitha forcat politike dhe kjo është gjë pozitive për Maqedoninë, është pozitive për ne dhe për të gjithë rajonin tonë në mënyrë që të mbyllet periudha e kontestimit të zgjedhjeve dhe institucioneve. Janë dy elemente shumë të rëndësishme që mund të shkojnë përpara vetëm në mënyrë paralele: stabiliteti i Maqedonisë dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe roli i shqiptarëve si faktor jo vetëm për stabilitetin, por edhe për integrimin europian dhe euroatlantik të këtij vendi fqinj tepër të rëndësishëm për ne dhe për të gjithë rajonin tonë”,- theksoi kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta. 
         
Një ditë më parë, edhe Komisioni Europian porositi presidentin Ivanov që sa më shpejtë të përcaktojë mandatar të ri për formimin e një qeverie stabile, e cila duhet të jetë e gjerë dhe të mbështetet me konsensus të fuqishëm reformues dhe bashkëpunim ndëretnik.
 
MERAL ISMAILI