Maqedoni
Testimi ekstern po zhvillohet sipas normales, 3 milionë denarë për arsim të integruar
31.01.2017 17:24
Testimi ekstern po zhvillohet brenda normales dhe nuk kanë arritur ankesa, thotë ministri i Arsimit, Pishtal Lutfiu...

Ai gjithashtu theksoi se pyetjet kanë qenë të publikuara në faqen zyrtare të Qendrës për provime shtetërore, prandaj profesorët dhe nxënësit kanë pasur mundësi që nëpërmjet ankesave të kërkojnë përmirësimin e gabimeve.
“Pyetjet kanë qenë të hapura edhe në ueb faqen e qendrës, po ashtu kanë qenë të hapura edhe konkurse për ekspertët të cilët do t’i përkthejnë pyetjet. Në rast se ka pasur gabime të tilla, me siguri do të prononcohen nëpërmjet ankesave në Qendrën për provime shtetërore dhe me këtë rast qendra do t’i procesojë këto gabime. Dhe unë paraprakisht u dëgjova me drejtoreshën, e cila më tregoi se testi po zhvillohet me normalitet, deri tani nuk ka arritur ndonjë ankesë dhe çdo gjë është brenda normales”,- deklaroi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
Ministri Lutfiu gjithashtu njoftoi për shpërndarjen e mjeteve për realizimin e aktiviteteve të cilat kanë të bëjnë me multikulturalizmin, integrimin ndëretnik dhe tolerancën nëpër shkolla.
Për herë të parë për arsim të integruar Ministria e Arsimit ndan 3 milion denarë.
“Në interaksion, nxënësit nga një gjuhë mësimore/një grup etnik të kontaktojnë me nxënësit e gjuhës tjetër mësimore/grupin tjetër etnik, duke trajtuar në mënyrë të barabartë pjesëmarrësit, për të arritur qëllimet konkrete të përbashkëta me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve etnike të përfaqësuara”,- tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
Sa u përket emrave të shkollave të Çairit “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”, që duhej të emëroheshin “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi, Lutfiu thotë se kjo çështje ka stagnuar për shkak të situatës politike dhe zgjedhjeve.
REJHANE BUSHI-METAJ
