Maqedoni
Mandati për qeverinë e re, Ivanov pritet të takojë liderët e partive
31.01.2017 17:47
Kreu i vendit, Gjorge Ivanov, pritet që t’i ftojë liderët e partive politike në takime të ndara për të biseduar lidhur me situatën aktuale politike në vend...

Kreu i vendit, Gjorge Ivanov, pritet që t’i ftojë liderët e partive politike në takime të ndara për të biseduar lidhur me situatën aktuale politike në vend, bëjnë të ditur nga kabineti i presidentit.
Konsultimet me liderët politik, që pritet të zhvillohen gjatë ditës së nesërme, vijojnë pas takimit, meqë Ivanov sot ka realizuar takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovskin, me të cilin ka folur për situatën aktuale politike në vend.
Në komunikatën e presidencës thuhet se “Ivanov do të veprojë në pajtim me Kushtetutën, në interes të shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë”.
Ndërkohë, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ka takuar sot ambasadorët e Gjermanisë, Suedisë dhe Polonisë.
Siç njoftojnë nga LSDM, në këtë takim është konstatuar se Maqedonisë i duhet një Qeveri stabile, e cila do t’ju qaset reformave të nevojshme dhe rrugës euroatlantike.
Zaev edhe një herë i ka kërkuar presidentit Ivanov që t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë.
“Maqedonia patjetër të ecë përpara. Nga zgjedhjet e fundit është i qartë vullneti i qytetarëve për ndryshime. Prandaj kërkuam nga presidenti, Gjorge Ivanov, qytetarët dhe Maqedonia të mos humbin kohë më shumë, të veprojë sipas Kushtetutës dhe të ma ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re. Ne presim që të formojmë shumicë të re parlamentare, me çka do të sigurojmë qeveri stabile reformatore, siç vendosën qytetarët”,- tha Zaev.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka thirrur publikisht Ambasadën e ShBA-së të shpjegojë nëse sugjeron se në vend nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nëse kjo është qëndrimi i administratës së re të ShBA-së.
Në njoftimin e VMRO-DPMNE-së thuhet se një ditë pasi partia e tyre porositi se situata është volitshme për zgjedhje të reja, Ambasada e ShBA-së, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, u ka bërë thirrje partive që të vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re.
“Duke parë diskutimet që ka hapur në opinion ambasada, VMRO-DPMNE kërkon shpjegim nëse pozita e tyre do të thotë se ShBA-të sugjerojnë dhe kërkojnë nga Maqedonia dhe partitë në parlament që mos të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nëse kjo thirrje mund të cilësohet si qëndrim zyrtar i administratës së re në ShBA, partitë me përbërjen aktuale të forcave mund të formojnë Qeveri të re? Këtë pyetje e bëjmë publikisht, sepse qëndrimi i ambasadës është bërë publike dhe ka krijuar konfuzion gjatë interpretimit të saj, andaj do të ishte mirë që edhe shpjegimi të jetë publik”,- thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
NAIM RAMDANI
