Botë

900 diplomatë kundër Trump, Spicer: Ose pajtohuni me programin, ose shkoni!

01.02.2017 12:47

Departamenti amerikan i shtetit ka konfirmuar se rreth 900 diplomatë amerikanë në të gjithë botën po protestojnë kundër....

Departamenti amerikan i shtetit ka konfirmuar se rreth 900 diplomatë amerikanë në të gjithë botën po protestojnë kundër ndalesës së përkohshme të presidentit, Donald Trump, për refugjatët dhe vizitorët nga shtatë vende me shumicë myslimane.
 
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ua ka tërhequr vërejtjen diplomatëve të karrierës se “kjo është për sigurinë e Amerikës” dhe se ata “ose duhet të pajtohen me program ose mund të shkojnë”.
 
Diplomatët janë ankuar se urdhri do t’i përkeqësojë raportet me vendet myslimane, do ta nxitë një ndjenjë antiamerikane dhe do t’i dëmtojë ata që kanë arsye legjitime për t’i vizituar Shtetet e Bashkuara.
 
Tre shtete, Massachusetts, New York dhe Virginia, kanë ngritur padi kundër dekretit, që sipas Shtëpisë së Bardhë është i nevojshëm për të përmirësuar sigurinë në vend. Sipas këtyre shteteve, urdhri shkel liritë fetare të garantura në Kushtetutë.
 
Sipas një sondazhi të “Reuters”, 49 për qind e amerikanëve e mbështesin urdhrin që kufizon emigracionin, ndërsa 41 për qind shprehen kundër. Me urdhrin ekzekutiv të presidentit, Donald Trump, u ndalohen vizitat shtetasve nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për 90 ditë.
 
Të gjithë refugjatëve u është ndaluar hyrja për 120 ditë, ndërsa ata nga Siria janë bllokuar pa një kohë të caktuar. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI