Botë
Protesta në Rumani, qytetarët kundër amnistisë për të korruptuarit
01.02.2017 14:00
Mijëra protestues të zemëruar kanë mbushur sërish qendrën e Bukureshtit me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë, pas zbutjes së dënimeve për rastet e korrupsionit...

Duke i quajtur politikanët “hajdutë” e “tradhtarë”, tubuesit këmbëngulin se dekreti qeveritar përbën një hap gjigant prapa nga reformat e dekadës së fundit.
Ata mendojnë se Ligji i amnistisë u lejon politikanëve të mbajnë gjithçka që kanë arritur në mënyrë ilegale. Të njëjtin qëndrim e ka edhe presidenti Ioanis.
“Është e palejueshme, e papranueshme, është një skandal, një tallje…. Nuk mund të perceptohet fakti që qeveria në mes të natës të sjellë një dekret për fusha të tilla të ndjeshme si Kodi penal dhe Kodi për procedurë penale edhe pse çështja nuk ka qenë në agjendën e qeverisë. Pa miratimin zyrtar kjo është e papranueshme”,- deklaroi presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.
Disa prokurorë si Laura Codruta Kövesi e shohin lëvizjen e ekzekutivit si “çek të bardhë” për të abuzuar me pushtetin. Ekzekutivi rumun pretendon se masa për shfajësimin e atyre që kanë shkaktuar më pak se 44 mijë euro dëme, synon lehtësimin e mbipopullimit të burgjeve. Prokurorët kujtojnë se gati 2.000 persona të përfshirë në raste abuzimi me pushtetin kanë shkaktuar një dëm, që përgjatë tre viteve të fundit mbërrin në total gati një miliard euro.
“Dekreti urgjent do ta dëmtojë shumë luftën kundër korrupsionit. Nëse projekti miratohet, kjo luftë praktikisht nuk do të ketë më asnjë rëndësi”,- tha prokurorja, Laura Codruta Kövesi.
Në hetim janë aktualisht disa politikanë në zë të vendit, përfshirë këtu edhe udhëheqësin e socialdemokratëve në pushtet, Liviu Dragnea. Të majtët i morën frerët e pushtetit në Rumani në muajin dhjetor, me premtimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Por, një muaj më vonë, ata janë arsyeja e protestave më të mëdha në vend që prej 1989-s.
Masat e parashikuara në ligj përfshijnë edhe faljen e të dënuarve me më pak se 5 vite burg për kryerjen e disa krimeve jo të dhunshme.
LEUNORA KALIQI
