Gjykimi i Haradinajt, shqyrtimi i lëndës ekstraduese më 9 shkurt; Vllasi: Franca nuk do ta ekstradojë Ramushin në Serbi

01.02.2017 14:40

Gjykata franceze më 9 shkurt do të vendos për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj...

“Lënda e sajuar dhe e motivuar politikisht nga ana e Serbisë, sot i është dorëzuar z. Haradinaj dhe mbrojtjes. Seanca për shqyrtimin e lëndës ekstraduese mbahet më datën 9 Shkurt 2017. Asgjë nuk e ndal!”,- ka shkruar avokati mbrojtës, Arianit Koci, në rrjetin social Facebook.
 
Analisti, Azem Vllasi, ndërkohë thotë se Franca nuk duhet ta ekstradojë Haradinajn në Serbi pasi atje në asnjë rrethanë nuk do të mund të kishte një gjykim korrekt. 
 
“Serbia nuk e do Ramushin në Gjykatën serbe, por Serbia e do të bëjë propagandë me këtë kundër Kosovës. Franca nuk do ta ekstradojë Ramushin në Serbi. Po të ekstradohet në Serbi, nuk do të ketë gjykim fer dhe kjo është arsyeja pse Franca nuk do duhet ta ekstradojë atje”,- theksoi analisti, Azem Vllasi.
 
Sipas Vllasit, Serbia ka një ligj me të cilin i ka dhënë kompetenca vetes, të gjykojë penalisht si Kroacinë, Bosnjën, po ashtu edhe Kosovën. Serbia ka si qëllim të kriminalizojë luftën dhe ta quajë terroriste UÇK-në. Edhe pse rrethanat kanë ndryshuar dhe Serbia nuk “kafshon” dot më, ajo ka mbetur e njëjta si në kohën e Millosheviqit dhe ende e vazhdon këtë politikë, ka thënë Vllasi.
 
GYLTENE SINANI